Numri i aplikimeve për Lotarinë Amerikane nga qytetarët shqiptarë ka shënuar rritje vit pas viti. Për vitin 2018 aplikuan nga vendi ynë 367 mijë shtetas duke vendosur një rekord të ri. Teksa rreth 15% e popullsisë shqiptare aplikojnë për të pasur një mundësi për t’u larguar nga vendi, vetëm 1% e tyre e kanë shansin që të bëhen shtetas amerikan.
Departamenti Amerikan i Shtetit në një botim në faqen e buletinit të vizave, ka publikuar numrin e fituesve të Lotarisë për Rezident të Përhershëm që i përket çdo shteti në programin e vitit 2020. Kështu, për vitin e ardhshëm, nga Shqipëria do të pranohen në programin e Lotarisë Amerikane 3.603 aplikantë.
Shqipëria renditet e dyta në Evropë për nga numri më i madh i vizave për Rezident të Përhershëm, pas Rusisë me 5118 vende.
E treta renditet Ukraina me 3113 vende dhe pas saj Turqia me 2709 vende. Nga Kosova pranohen vetëm 260 aplikime. Ndërsa nga vendet e tjera të rajonit Maqedonia e Veriut ka 249 vende, Serbia 210, Greqia 48 dhe Mali i Zi me vetëm 35 aplikantë të cilët fitojnë të drejtën e kualifikimit në programin e Lotarisë Amerikane.