Pas ores 18:00 ndalohen lëvizjet edhe të këmbësorëve. Qytetarët deri më tani indiferent ndaj rrezikut të Covid-19

0
1140

 

 

Shiu i të dieles u zëvëndësua nga rrezet e diellit këtë fillim jave. Kaq mjaftoi që shkodranët ti rikthehen rutinës, duke mos pyetur për rrezikun e përhapjes së koronavirusit. Në lulishte, rrugë e pedonale, apo edhe në zonat turistike, në këmbë e me biçikleta, ata vijojnë si të jemi në një kohë pushimesh, apo ditë pikniku.

As ndërhyrjet e policisë për ti larguar nuk dhanë rezultat, ndërsa thirrjet e vazhdueshme në drejtim të tyre nga ana e autoriteteve shëndetësore e jo vetëm, kanë rënë në vesh të shurdhët.

Duke parë këtë reagim dhe mënyrën se si shqiptarët po e kalojnë në shumë raste me shpërfillje rrezikun e koronavirusit, kryeministri Edi Rama ka vendosur që prej kësaj të hëne pas orës 18:00 do të ndalohet edhe qarkullimi i këmbësorëve. Nëse nuk zbatohet ndaj tyre do të aplikohet ndëshkimi me gjobë, duke huazuar kështu modelin Italian.

 “Duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18.00 do të ndalohet edhe lëvizja me këmbë në të gjithë territorin e republikës së Shqipërisë! Nga nesër, me urdhër të ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët dhe për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura. Ndjesë 1000 herë, po s’ka rrugë tjetër për ta fituar këtë luftë, ku askush përveç atyre që shërbejnë në strukturat kritike të shtetit dhe atyre që punojnë në hallkat themelore të zinxhirit ekonomik të vendit, nuk duhet të dalë nga shtëpia përveçse për nevojat bazë të furnizimit me ushqim apo ilaçe! Shëtitjet nuk janë domosdoshmëri jetike në këtë kohë lufte dhe uljet nëpër parqe janë të palejueshme! Më shani e talluni me mua sa të doni, s’ka asnjë problem, po mos diskutoni dhe aq më keq thyeni rregullat!”

Përfundon Rama. Tashmë mbetet për tu parë se si do të zbatohet ky urdhër, por nga ana tjetër përshkallëzimi i këtyre masave nga ana qeverisë, duhet shoqëruar si në vendet europiane, me paketa sociale për familjet në nevojë që e kanë të vështirë të sigurojnë edhe bukën.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here