Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një video-mesazh në rrjetet sociale deklaroi se ende nuk ka një vendim final nëse do të fillojë apo jo shkolla pas situatës së krijuar nga koronavirusi, por nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet në ditët në vijim pas mbledhjes së Task Forces për pandeminë.
Ministrja tregoi se janë gati të dy skenarët e nevojshëm në rast rifillimi ose jo të procesit mësimor.
Gjithashtu ministrja foli dhe për çështjen e maturantëve për të cilët tha se do të botohen shumë shpejt programet e reja orientuese për provimet e maturës të cilat nuk do të përmbajnë tema që nuk janë zhvilluar në shkollë.
“Studentët kanë një fleksibilitet të shtuar për shkak se provimet i kanë në korrik (zakonisht është një periudhë provimesh). Ne po punojmë shumë ngushtë me rektorët, dekanët, shefat e departamenteve që të shohim se çfarë kanë planifikuar universitetet e ndryshme për mbylljen e vitit akademik. Ne po koordinojmë punët me ta, po i orientojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, por në fund të ditës vendimmarrja është e universitetit”, përfundoi ministrja.