Shqipëria do të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23”.
Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe do të zhvillohet në Tiranë nga 22 maji deri në 3 qershor.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se në këtë stërvitje të përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Europiane e SHBA do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s.
“Shqipëria, si partner i besueshëm dhe si nyje strategjike e sigurisë rajonale, do të luajë një rol kyç në këtë stërvitje të rëndësishme, duke treguar angazhimin tonë maksimal për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Rama.
Në stërvitje do të marrin pjesë rreth 17 mijë trupa shumëkombëshe, duke e bërë atë më të madhe në historinë e Shqipërisë si aleate e NATO-s.