Tentuan të trafikonin drogë drejt Malit të Zi, arrestohen dy persona në Lezhë.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë Fran Perlika dhe Neritan Tosuni. Sekuestrohen 11 kg kanabis, 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, shuma parash dhe celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme kundër krimeve në fushën e narkotikëve, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës informative, për një rast të tregtimit të lëndës narkotike cannabis sativa, me qëllim trafikimin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mbikalimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, nga ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Fran Perlika, 55 vjeç, banues në Rrëshen dhe Neritan Tosuni., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Në vendin e quajtur “Mbikalimi i Rrëshenit”, në Rrugën e Kombit, 55-vjeçari u kap teksa i shiste një sasi prej 11 kilogramësh lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, shtetasit N. T.
Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se lënda narkotike do të blihej me qëllim trafikimin drejt Malit të Zi.
Sasia e lëndës narkotike, 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, celularët e tyre dhe shuma parash u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të metejshme.