Pas incidenteve të fundit që janë shënuar në stadiume, Policia e Shtetit do të marrë nën përgjegjësi të gjitha portat e sigurisë në ‘Air Albania’, pasi janë evidentuar raste që nëpër ndeshje janë futur persona që nuk kishin prerë fare bileta.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se gjatë ndeshjes së kombëtares shqiptare me Poloninë për EURO 2024, janë konstatuar 12 mijë tentativa për bileta false. Balla bëri të qartë se të gjithë ata persona që kapen me biletë false përbëjnë vepër penale dhe do shoqërohen në polici e më pas do nisë hetimi.
“Nisur nga raportimet që bëri Policia e Shtetit dhe FShF pas analizës së eventit sportiv mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj polake, disa nga konkluzionet janë me vend dhe duhet të ndiqen nga të dyja institucionet.
Ne i kemi mundësitë të evidentojmë në gjithë 22.217 ulëset në stadium, evidentimin e emrit dhe përgjegjësisë. Dhe çdo tifoz që do ndjekë ndeshjen me Çekinë, ta ketë të qartë që ne dimë kush është ulur në atë ndenjëse dhe përgjegjësinë që ka. Nga pamjet filmike I sistemit kuptohet qartë kush u përfshi në incidente dhe do të mbajë përgjegjësi penale. Plani i masave për ndeshjen me Çekinë është një hap i madh i kalimit të përgjegjësisë nga Policia Private tek Policia e Shtetit për të shkuar me gatishmërinë, e gjej rastin ta falënderoj Drejtorin e Policisë, për të marrë ne më shumë përgjegjësi. Natyrshëm Federata ta konsiderojë këtë bashkëpunim me PSh edhe një mënyrë sesi mund të ndihmojë Policinë, e këtu dua ta falënderoj FShF që po ndihmon për ndërtimin e një fushe sportive për forcat ‘Delta’ në Vlorë. Besoj të gjejmë mundësi të tjera bashkëpunimi.”, tha Balla.
Presidenti i FShF, Armando Duka tha se: “Është problem softi. Për ndeshjet e ardhshme kemi biseduar të përdorim të njëjtin sistem që përdor UEFA, që kishim dhe në Finale, shpresoj do ta arrijmë dhe ai i eliminon të gjitha këto probleme. Nuk është se kemi patur përvojë të madhe me këtë sistem, tani kemi filluar, tani kanë dalë problematikat më të shumta.”.