Dy inspektime të zhvilluara në muajin nëntor nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në pikat e shitjes së policave për sigurimin e detyrueshëm motorik, dolën në përfundimin se ka shkelje në ushtrimin e veprimtarisë së agjentit apo punonjësit të disa shoqërive të sigurimit.
Të gjitha shoqërive të sigurimit u është kërkuar te depozitojnë në Autoritet listën e punonjësve të autorizuar për nënshkrimin e kontratave të sigurimit, si dhe dokumentin që vërteton se është punonjës pranë kësaj shoqërie sigurimi.
Lista e kërkesave përfshin edhe faktin që agjentët në sigurime nuk duhet të ushtrojnë veprimtari të tjera përveç atyre që parashikohen në legjislacionin në fuqi ndërkohe që secili prej tyre duhet të disponojë policën e sigurimit të përgjegjësisë, sipas nenit 197, të Ligjit nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.
Afishimi i çmimeve
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar që çdo agjent ose punonjës në ambientet që ushtron veprimtarinë të ketë të afishuar në vende të dukshme:
- Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm konform legjislacionit në fuqi;
- Kopje të kushteve të kontratave të sigurimit të detyrueshëm;
- Licencën e agjentit ose autorizimin e punonjësit për të nënshkruar kontrata sigurimi.
“Çdo agjent ose punonjës duhet të pajiset me dokument identifikimi (shenjë dalluese) i cili të jetë lehtësisht i identifikueshëm nga publiku dhe të përmbajë të paktën këto elementë: emër, mbiemër si dhe statusin e personit që nënshkruan kontrata sigurimi (agjent/punonjës), logon e shoqërisë së sigurimit, numrin e licencës dhe vlefshmërinë e saj/kontratës dhe vlefshmërinë e saj (kur është agjent/punonjës). Çdo ndryshim i të dhënave mbi bazën e së cilës është marrë miratimi/licenca duhet të jetë objekt i njoftimit në Autoritet” thuhet në vendimin e AMF.
Për nënshkrimin e kontratave të sigurimit agjentët nuk duhet të autorizojnë askënd pasi kjo është një procedurë që duhet të kryhet vetën preh tyre.