Një zjarr i fuqishëm shpërtheu gjatë natës në malin e Shëngjinit në Lezhë, duke vënë në rrezik dhjetra banesa dhe depozitat e karburanteve pranë portit. Flakët u riaktivizuan, pasi në këtë zonë dy ditë më parë kishte rënë një zjarr që ende nuk ishte shuar plotësisht nga shërbimi zjarrfikës. Era e fortë solli përkeqësim të situatës, duke bërë që flakët t’i afrohen banesave, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët. Ata kaluan natën jashtë nga frika e zjarrit, ndërsa në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës mbërritën edhe ato të Shkodres e Laçit. Nga afër e ndoqi situatën edhe kryetari i bashkisë Fran Frrokaj, prefekti Eduart Ndreca dhe drejtues të tjerë vendorë. Shefi i zjarrfikësve, Agustin Pepkolaj, thotë se zjarri është riaktivizuar disa herë, i ndihmuar edhe nga era prandaj po veprohet për të siguruar jetën dhe pronën e banorëve. Mëngjesin e së enjtes, në zonë ka mbërritur dhe një helikopter dhe forcat e ushtrisë, të cilët po punojnë prej disa orësh për shuarjen e flakëve.
Banoret janë të revoltuar me nderhyrjen e pakët qe është bërë.
Zjarri i përmasave të frikshme që përshiu Shëngjinin ka shkaktuar frikë dhe panik tek pushuesit në këtë pikë turistike, një pjesë e të cilëve kanë vendosur të largohen.