Një vit pasi ministria e mjedisit ndërmori fushatën e gjërë të dezinfektimit të kurorës së gjelbërt në 6400 ha pyje në 4 qarqe të vendit, sëmundja e proçesionares është rishfaqur sërish. Rrethi i Pukës vijon të jetë më i godituri nga sëmundja e pishave, ku mjafton një vëzhgim i thjeshtë për të kuptuar situatën në të cilën ndodhet sot ky masiv pyjor. Sëmundja është përhapur me shpejtësi dhe asnjë pemë nuk ka mbetur e paprekur, madje duket sikur gjurmët e dezinfektimit janë të largëta. Inspektoriati i pyjeve në qarkun e Shkodres nga ana e tij nuk ka asnjë të dhënë sa është në shifra sipërfaqja e prekur, e aq më shumë nuk di të thotë çfarë do të ndodhe me pemët e infektuara, nëse do të ketë një tjetër ndërhyrje nga ajri apo jo. Procesionarja e dëmton pishën në mënyrë të parikthyeshme nëse nuk ndërhyhet në kohë duke shkaktuar tharjen e plotë të saj. Ajo luftohet në mënyrë mekanike, duke i mbledhur insektet, sa ende janë në boçen e tyre dhe më pas digjen. Kjo njihet ndryshe si forma më e mirë e luftimit, pasi dezinfektimi nga ajri mbetet më sipërfaqësor. Të dhënat tregojnë se në këto vite të demokracisë një aksion i tillë nuk është ndërmarrë, edhe pse dihet që procesionarja ka aftësi shumimi të jashtëzakonshme, pasi flutura mund të zhvendoset në një hapësirë 10 deri në 15 kilometra dhe prek zonat e pastruara, ç’ka tregon se lufta duhet të jetë e vazhdueshme për të shpëtuar pyjet me pisha në Pukë, që përbëjnë sot 40% të sipërfaqes së gjelbërt të vendit. Tashmë që shërbimi pyjor i ka kaluar pushtetit vendor, ky i fundit do ta ketë akoma më të vështirë te menaxhoje pyjet, për shkak të mungesës së fondeve dhe kapaciteteve njerëzore.