Shkodra u vesh nga dëbora mbrëmjen e së mërkurës, ku në pak minuta intensiteti i lartë i reshjeve, bëri që qyteti të zbardhej i tëri.
Krijimi i shtresës së parë të dëborës, e cila kishte plot 5 vite pa rënë në kryeqendrën e veriut bëri që në pak minuta qytetarët të sfidojnë të ftohtin, duke lënë shtëpitë, e duke vrapuar në sheshe për një fotografi, apo duke luajtur me dëborën e parë.
Qyteti i Shkodres ishte ndër të fundit në vend që u prek nga reshjet e dëborës, ndërsa prej ditësh ndodhet nën temperaturat e uleta që kanë përfshirë Shqipërinë. Një pamje e veçantë është krijuar edhe në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku tapeti i gjelbërt i ka lënë vendin bardhësisë.
Kjo situatë e krijuar ka bërë që një pjesë e madhe e ekipeve të kërkojnë shtyrjen e nisjes së kampionatit dhe pamjet e filmuara në impjantin e Shkodres tregojnë më së miri për domosdoshmërinë e një mase të tillë. I ftohti, ngricat dhe dëbora prezente kudo e bën të pamundur zhvillimin e ndeshjeve të futbollit.