Pergjaket rruga Lezhe – Shkoder, viktima nje shtetas nga Kosova
Një aksident i rëndë përgjaku segmentin rrugor Shkoder – Lezhë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Blinishtit duke lënë një person të vdekur dhe 6 të tjerë të plagosur. Përplasja e 3 automjeteve la të vdekur emigrantin Kosovar që po kthehej nga Gjermania për në vendlindje, shtetasin B.F 39 vjeç. Në aksident u përfshin automjeti tip Volksëagen me targë DBF 54 me mjetin AUDI me targë SH 0044E si dhe mjeti Benz me targë AA 627 JH. Nga përplasja e fuqishme mbeten të plagosur edhe 6 shtetas të tjerë që ndodheshin në automjetet respektive, ku 4 prej tyre që paraqiteshin në gjendje më të rëndë u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa 2 të tjere po trajtohen në spitalin e Lezhës nga bluzat e bardha, pasi nuk paraqesin rrezik për jeten. Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë parakalimi i gabuar i mjetit tip “Audi” si dhe një manovër e tij, megjithatë, grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Numri i aksidenteve njeh rritje gjatë sezonit veror, kur fluksi i pushuesve është i lartë dhe kur mjaft emigrantë kthehen për të pushuar në vendlindje. Në disa zona, gjatë orëve të vona të natës ekziston edhe fenomeni i mungesës së patrullave, duke sjellë edhe abuzime nga ana e drejtuesve të mjeteve, dhe si rrjedhojë edhe aksidente rrugore. Gjithashtu nderprerja e akseve nacionale nga rruget dytesore, mungesa e ndriçimit, mbi apo nenkalimeve jane disa prej problematikave që kanë rrugët tona, duke bërë që numri i aksidenteve fatkeqesisht me pasoja në jetë njerezish, apo të plagosur rende të jete i larte.