- TIRANË- Kalimi i pushtetit nga ish-ministrat vijon qetësisht tek ministrat e qeverisë “Rama 2” edhe mes atyre që i përkasin partive të ndryshme. Sot ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka i dorëzoi zyrtarisht detyrën pasardhësit të tij, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Ministrisë.

Koka falenderoi ekipin për bashkëpunimin në arritjen e objektivave dhe sfidave dhe uroi Ministrin Klosi për detyrën me bindjen se puna e nisur do të çohet në një standard më të lartë nga një politikan me përvojë e me eksperiencë institucionale si ministri Klosi.
Ministri Klosi nga ana e tij theksoi rëndësinë që turizmi merr në këtë ministri si një sfidë që ka nevojë për përkushtim dhe profesionalizëm. Ai theksoi se drejtimi i këtij dikasteri është një përgjegjësi e madhe dhe synon që ta bëjë Shqipërinë një destinacion konkurrues turistik në nivel global.
Gjithashtu Ministri Klosi siguroi se do t’i japë një zhvillim të ri, reformave të ndërmarra dhe atyre që pritet të realizohen me qëllim përshpejtimin e përafrimit të standarteve kombëtare me ato të Bashkimit Europian.