Pas 1 jave arratie, Policia e Pukës ka vënë përsëri në pranga 18 vjeçarin Emirjon Nika, i cili u arratis nga Komisariati pasi ishte arrestuar për “Vjedhje me dhunë”.
Ditën e sotme, adoleshenti është arrestuar në fshatin Karmë, në një shtëpi të vjetër, në pronësi të babait të tij.
Pak ditë më parë, daja dhe gjyshja e të arrestuarit i kanë bërë apel nipit që të dorëzohej, pasi familja e tij po kërcënohej nga Policia. Në rrëfimin e tyre, familjarët treguan për mediat se Emirjoni pas arratisjes kishte shkuar në shtëpi dhe kishte kërkuar bukë.
Policia e Shtetit së bashku me Renean, u ngritën në këmbë pas arratisjes së 18-vjeçarit, por vetëm ditën e sotme është bërë i mundur arrestimi i tij. Si përgjegjës për ngjarjen u pezullua shefi i Rendit Pukë dhe zëvendësi i tij , ndërsa dy policët përgjegjës të turnit Dodë Preka dhe Pajtim Bushi janë arrestuar pas arratisjes së 18 vjeçarit.