Shembja e kullës, nipi i Prek Calit: Se bëjnë shqiptarët, veç çetnikët serbë mund ta prishnin!

0
250

Nipi i Prek Calit, Ndue Ndreshaj ka thyer heshtjen ndërsa ka pranuar të flasë lidhur me shembjen e kullës së vjetër të gjyshit të tij në Vermosh të Malësisë së Madhe, duke hedhur kështu edhe dritë mbi ngjarjen.

Në rrëfimin e tij 90-vjeçari Dreshaj pohon se i ka të freskëta kujtimet e prijësit të malësorëve, Prek Cali. Ndue Dreshaj është djali i Ages, vajzës së vetme të Calit. 90-vjeçari shprehet se kulla është prishur nga koha vetvetiu dhe se më pas e kanë ndihmuar të shembet.

Ai shton mes të tjerash se nuk është Bashkia Malësi e Madhe, ajo që ka shembur kullën historike të gjyshit të tij, ndërsa nuk akuzon askënd.

“Unë e kam shumë të afërt Prek Calin. Vajza e tij është nëna ime, pra ai është gjyshi im. Unë jam trashëgimtari më i afërt i Prek Calit, sepse jam nipi i tij. E mora vesh dhe jam shumë i mërzitur për atë që ka ndodhur. Ndjehem keq, sepse po të ishte një kohë tjetër, ndryshe do ishte folur. Kjo është fatkeqësi. Ndjehem keq, por s’kam çfarë bëj. Jo, nuk kam qenë aspak në dijeni për shembjen e saj. S’ma ka marrë mendja kurrë se e prish kush atë shtëpi dhe s’më ka shkuar mendja se ka shqiptar që e shemb. Veç nëse janë çetnikët e Serbisë të një kohe më parë, por se e bëjnë shqiptarët, s’do e kisha besuar kurrë. Shtëpia është lënë në harresë dhe më pas është prishur vetvetiu dhe tani e ndihmuan dhe e prishën krejt. Nuk kam dijeni se kush e ka prishur. S’jam dakord aspak se mund ta ketë prishur bashkia.
Veç nëse është bashki e marrë, e çmendur dhe antishqiptare, se ndryshe s’ka se si. Nuk besoj se e ka prishur bashkia, nuk ka si të ndodhë kjo. Prek Cali është një hero për Shqipërinë, që luftoi për kufijtë shqiptarë, për t’i mbrojtur. Kam qenë 16 vjeç kur e kanë vrarë gjyshin tim. E mbaj mend. Kishte dëshirë të përzinte shkijet (serbët) dhe të zgjeronte sa më shumë dhe të mbronte kufijtë e Shqipërisë. Prek Cali nuk ka vrarë asnjë partizan dhe askënd tjetër. E mbajtën të lidhur për disa ditë në Shkodër në burg dhe më pas e mbyti Beqir Balluku dhe Mehmet Shehu me shokët e tyre komunistë. T’i dorëzohej Prek Cali Enver Hoxhës nuk e di nëse do e mbyste apo jo Enveri, sepse Prek Cali ka qenë në burg me Enver Hoxhën. Kur i doli gjyshit tim lirimi, ai tha ‘jo, nuk largohem pa u liruar edhe Enver Hoxha, kanë qenë në një burg jashtë Shqipërisë’. U lëshua edhe Enver Hoxha pas kësaj kërkese të gjyshit tim. Kur janë vrarë partizanët, gjyshi im ka qenë në Vermosh, në shpellë i fshehur. Është fshehur, se ndryshe do e vrisnin partizanët”, tha ai.

Mes të tjerash 90-vjeçari hodhi poshtë akuzat se gjyshi i tij mund të kishte vrarë 35 partizanë, pasi në atë kohë qëndronte i fshehur në shpellë. Po ashtu ai tha se diktatori Enver Hoxha e kishte tradhtuar idealin e Prek Calit.

“Enver Hoxha e tradhtoi idealin e Prek Calit, ndërsa gjyshin tim e pushkatuan pa shkuar fare në gjyq. Enver Hoxha ka shkruar edhe libra për Prek Calin. Prek Cali u ka thënë malësorëve që të mos vritet askush dhe të mos bëhen luftëra mes shqiptarëve. Gjyshit i erdhën me flori pafund serbët për ta shitur tokën e bjeshkëve të Vermoshit, por këtë nuk e pranoi asnjëherë. Po të kem unë mundësi edhe 100-katëshe e bëj, por po të bëhet e re gjithsesi e humb vlerën e kullës së vjetër. Shteti po të kishte dashur, do e kishte rikonstruktuar, por nuk e di pse nuk e kanë bërë. Disa herë kam kërkuar që kulla e gjyshit tim të rindërtohej për të mos humbur vlerat, por s’e ka bërë kush këtë gjë. Shembja është një vrasje e dytë për Prek Calin. Asgjë nuk do të ndodhë më aty pa ardhur njëherë dhe pa folur me ne. Duhet që të diskutojnë me ne, të na marrin leje, të biem dakord dhe më pas të shohim se çfarë bëhet. Ndryshe nuk do të lejojmë asnjë lloj ndërtimi”, tha nipi i Prek Calit.
(BalkanWeb)