Monday, February 6, 2023
HomePolitikëVizita - Ruçi pret Haradinajn: Kosovë-Shqipëri, nuk ka asnjë gjë që na...

Vizita – Ruçi pret Haradinajn: Kosovë-Shqipëri, nuk ka asnjë gjë që na ndan

-

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti në një takim të veçantë Kryeministrin e Republikës së Kosovës,  Ramush Haradinaj.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Ruçi e përgëzoi Haradinaj për besimin e marrë në Parlamentin kosovar për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë kosovare.

“Është kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres në Kuvendin e Shqipërisë dhe është mjaft domethënës fakti që vizitën tuaj të parë si Kryeministër e zhvilloni në Shqipëri dhe me autoritetet shqiptare. Ne i kemi ndjekur me vëmendje të madhe zhvillimet në Kosovë dhe më lejoni t’ju përgëzoj për besimin që morët në parlament dhe ju uroj suksese në detyrën tuaj si Kryeministër”,  tha Kryetari i Kuvendit.

Gjatë takimit, Ruçi u shpreh se mes dy vendeve ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe në këtë kuadër do të vijojë akoma më shumë puna për të thelluar dhe intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, por kryesisht mes dy parlamenteve tona.

“Mes nesh dhe jush nuk ka asnjë gjë që na ndan përveçse shumë gjera që na bashkojnë. Në këtë kuadër ne duhet të bëjmë akoma më shumë për të thelluar dhe intensifikuar marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, por kryesisht mes dy parlamenteve tona”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Ruçi nënvizoi gjithashtu se Tirana zyrtare ka qenë dhe do të mbetet mbështetësja më e madhe e shtetit të Kosovës në aspektin e njohjes së saj si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe të aderimit në organizmat ndërkombëtare, në të cilat ende nuk është bërë pjesë.

“Kosova tashmë është një realitet i pranuar nga shumë shtete evropiane dhe botërore dhe kam besim që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve për proceset integruese do të vijojë ngushtësisht”, tha Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.

Nga ana e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi falënderoi Ruçi për mikpritjen, i uroi suksese për detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë duke shtuar se mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës ka qenë e pandërprerë dhe bashkëpunimi në proceset integruese do të vijojë.

“Më lejoni t’ju uroj suksese për detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Parlamentit. Kosova e ka ndjerë historikisht dorën e Shqipërisë në çdo hap të ecurisë tonë, ashtu si edhe në këto kohë ku keni qenë zëri dhe mbështetja jonë në aspektin ndërkombëtar. Ne duhet të jemi sa më të lidhur bashkë për të ecur së bashku në rrugën e zhvillimit dhe integrimit, në familjen e madhe evropiane”, – tha  Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës,  Ramush Haradinaj e ftoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Rucci për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,698FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts