Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Sota akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ikonomi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”.

I proceduar penalisht në gjendje të lirë është edhe shtetasi Ervin Muça detyrë Drejtor i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Nga aktet hetimore e konkretisht referuar procesverbalit të këqyrjes së e-mailit të punës të specialistes së IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Eni Qirjako, janë konstatuar se të dhënat e kërkuara dhe të publikuara objekt hetimi, janë dërguar nga e-maili i saj i punës, në e-mailin e punës së shtetasit Andi Agaraj në datat e mëposhtme:

Në datë 21 tetor 2020, listë pagesat e muajit shtator 2020. Në datë 25 nëntor 2020, listë pagesat e muajit tetor 2020. Në datë 25 janar 2021, listë pagesat e dhjetorit 2020. Në datë 24 shkurt 2021 listë pagesat e janarit 2021. Më datë 29 prill 2021 listë pagesat e muajit mars dhe në datë 22 tetor 2021 listë pagesat e muajit shtator 2021. Këto të dhëna i janë dërguar nga adresa zyrtare e punës së Eni Qirjako në adresën e Andi Agarajt. Këto file siç rezulton nga këqyrja janë dërguar në programin ëe transfer.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Andi Agaraj ushtron detyrën e specialistit të IT në sektorin e rrjetit dhe infrastrukturës që nga viti 2013 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Tiranë. Nga aktet e administruara është konstatuar se shtetasi Andi Agaraj, të dhënat që i ka marrë nga shtetasja (kolegia) Eni Qirjako, të nxjerra nga databaza e “Sistemit CATS”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, ia ka dhënë shtetasit Klodian Sota.

Shtetasi Klodian Sota ia ka dhënë materialet e marra nga kolegia Eni Qirjako në të gjitha rastet kundrejt vlerës 20 000 lekë sa herë që ai i ka dhënë të dhënat e kërkuara. Nga hetimi është konstatuar se këto të dhëna pasi shtetasja Eni Qirjako, ia kalonte në e-mail në programin Ëe Transfer, i ka shkarkuar në kompjuterin e tij të punës dhe pastaj i ka kopjuar në CD, dhe ia ka dërguar dorazi në periudha të ndryshme kohore shtetasit Klodian Sota.

Nga aktet e administruara konstatohet se shtetasi Klodian Sota, të dhënat e pagave të nxjerra nga databasa e “Sistemit Cats”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marra nga shtetasi Andi Agaraj, punonjës i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ia ka dhënë shtetasit Endri Ikonomi kundrejt një shpërblimi prej 20 000 deri në 30 000 lekë.

Gjithashtu nga veprimi hetimor është konstatuar se me procesverbalin e sekuestrimit të datës 28 dhjetor 2021, policia gjyqësore ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale në banesën e shtetasit Klodian Sota një Hard Disk të jashtëm, në të cilin dyshohet se gjenden të gjitha të dhënat e pagave të nxjerra nga databaza e “Sistemit CATS”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marrë nga shtetasi Andi Agaraj.