Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë nga Shkodra, ku po zhvillon një takim me demokratët në kuadër të zgjedhjeve për kryetarin e PD, se ka pasur kundër gjatë kësaj kohe George Sorosin, të cilin e cilëson si mafien më të rrezikshme të planetit.
Ai tha se Shqipëria ka si mision Evropën dhe nuk duhet t’i ndahet asaj rruge.
“Në goditjen kundër PD dhe opozitës së vërtetë shqiptare u mobilizua edhe mafia e George Soros-it. Mafia politike më e rrezikshme e planetit. Është më e pasura e kësaj toke. Por, demokratët e demokrate, pavarësisht të gjitha presioneve dhe kërcënimeve, shatanzheve, këtu në Shkodër vazhduan traditën e vet demokratike. I qëndruan besnik idealeve dhe votuan midis opozitës së vërtetë, PS dhe pseudo-opozitës, votuan kandidatin e saj Bardh Spahia.
Në takimin e parë në këtë sallë kam rikujtuar me ju se në momente shumë kritike të PD, ajo në Shkodër mbeti dhe më pas përsëri u shtri në të gjithë Shqipërinë. Edhe kjo iu garantoj ju. Vota juaj ishte shpëtimtare për PD sepse të gjitha faktorët që iu përmenda më sipër, po bënin gjithçka për dështimin e saj. Po bënin gjithçka për ngadhënjimin e pseudo-opozitës. Ne jemi këtu dhe erdhëm këtu si misionarë në një lëvizje. Në këtë arritje nuk e konsiderojmë PD veçse si një instrument, mjet, për të realizuar një tjetër qëllim të madh, për të realizuar mbivendosjen e demokracisë në të gjithë Shqipërinë. Detyrë e vështirë, detyrë që mund të ketë pengesa edhe më të mëdha. Kauza jonë është e drejtë.