Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Christiane Hohmann tha sot se sa i përket lirisë së medias në vend, ka vijuar atmosfera e sulmeve me fjalë si dhe fushatat e baltosjes dhe aktet e frikësimit të gazetarëve.
Deklaratën ajo e bëri gjatë një konference për shtyp me zv.kryeministren Belinda Balluku teksa i dorëzoi asaj simbolikisht edhe progres raportin e BE-së.
“Në raport thuhet se pavarësia e medias dhe cilësia e gazetarisë vazhdojnë të pengohen nga një gërshetim interesash biznesi dhe politike dhe se keqinformimi është një shqetësim që rishfaqet. Raporti shpreh keqardhje të thellë që atmosfera e sulmeve me fjalë, e fushatave të baltosjes dhe akteve të frikësimit të gazetarëve nuk është përmirësuar dhe do të vijojmë ta ndjekim këtë çështje nga afër. Në raport bëhet thirrje për përpjekje më të forta për konsolidimin e të drejtave të pronësisë me anën e regjistrimit dhe dixhitalizimit të të dhënave kadastrale”, tha ambasadorja.