Protesta e djeshme para parlamentit nuk u kalua pa përplasje e trazira.
Në një njoftim zyrtar sot policia njoftoi se ka arrestuar dy persona, një 16 vjeçar për shkak të moshës u procedua në gjendje të lirë ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Sipas uniformave blu, në pranga janë vënë Jakup Stafa, 36 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Dorison Petoku, 19 vjeç, banues në Thumanë.
Ata akuzohen për hedhje të lëndëve piroteknike drejt policisë, gjë që solli dëmtimin e dy policëve.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në datën 13 shkurt 2023, arrestuan shtetasit:
– J. S., 36 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit të Policisë Krujë dhe D. P., 19 vjeç, banues në Thumanë.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 16-vjeçar, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. A., 30 vjeç.
“Këta shtetas, gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, kanë kryer veprime të kundërligjshme dhe kanë hedhur lëndë piroteknike (flakadanë dhe kapsolla) në drejtim të shërbimeve të Policisë në detyrë. Si pasojë e këtyre veprimeve, janë dëmtuar 2 punonjës policie, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën,” njoftoi policia.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme, gjatë tubimit të datës 13 shkurt 2023.