Presidenti i vendit Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët me homologen nga Estonia, Alar Karis tha se popullata serbe në Kosovë u keqpërdor. Për të tensionet në veriun e Kosovës nuk do të frenojnë nismat rajonale si Procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur, pasi përfitimi ndaj tyre është real.
“Tensionimi i situatës ka ardhur si nevojë e keqpërdorimit të popullatës serbe që jeton në veri të Kosovës dhe ushtrimit të papranueshëm të dhunës nga grupe kriminale. Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm. Kam pasur komunikim me autoritetet më të larta të Kosovës, po ashtu me komandantin e KFOR-it dhe me disa presidentë të rajonit. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vendosur theksin në domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel. Duhet të fokusohemi te prioritetet dhe jo te gjërat sekondare”,-tha Begaj.
Ndër të tjera, presidenti Begaj tha edhe se ka komunikime me autoritetet në Kosovë dhe i kërkon që të kenë durim e të koordinohen me partnerët strategjikë për të gjetur zgjidhje.
“Komunikimi im me Kosovën është i vazhdueshëm, me autoritetet më të larta, me komandantin e KFOR dhe disa president të rajonit. Kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vënë theksin te marrëveshja në Bruksel dhe anekset e dakordësuara në Ohër. Duhet të fokusohemi te prioritetet. Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është i domosdoshëm. Kam bërë thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që në këtë situatë duhet të kenë durim, mature dhe duhet të dëgjojnë e të koordinohen me partnerët tanë strategjikë. Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm s’duhet të jetë opsion”, tha Begaj.