Në Forumin Shkencor mbi ‘Investimet efektive në shërbimet kirurgjikale dhe ndikimi në shëndetin e pacientëve’, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, mjekë të QSUT-së dhe drejtues të Universitetit të Mjekësisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vënë theksin në përfitimet në shëndet që kanë sjellë investimet në shërbimet kirurgjikale.
“Vlerësohet që ditë qëndrimi është ulur me 2 herë, krahasuar me fillimet e punës sonë, kur infeksionet e plagëve operatore ishin mbi 35%. Reduktimi tyre, tashmë ndër vite është një fakt, i cili, jo vetëm është i matshëm, por ajo që është me rëndësi është që jeta e qytetarëve sot është më e sigurt dhe pacienti sot në spital, jo vetëm merr shërbim më shpejt, por edhe shërimi tij ndodh më shpejt, pikërisht në sajë të investimeve të kryera dhe punës që bëjnë profesionistët tanë në strukturat spitalore të kirurgjisë. Nga momenti i pikënisjes së këtij programi, të sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikale, janë mbi 400 mijë ndërhyrje të kryera në sistemin shëndetësor me standarde evropiane”,- tha Ministrja Manastirliu.
Gjatë këtij forumi shkencor, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se është ulur ndjeshëm dhe përdorimi i antibiotikëve, por nga ana tjetër, u ka kërkuar drejtuesve të spitaleve, standardizimin e protokolleve në këtë drejtim, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.
“Të dhënat e studimit të ISHP-së, në raport me vitin 2014, tregojnë se, është ulur me 20% përdorimi antibiotikëve në ditët post-ndërhyrje dhe besoj që këtu kemi shumë për të thenë në raport me atë që spitalet duhet të bëjnë. E para drejtuesit e spitaleve, së bashku me stafet teknike dhe me njësitë e infeksioneve spitalore, duhet që të kenë në mënyrë periodike evidencat e përdorimit të antibiotikëve. Nuk ka më asnjë justifikim tek përdorimi antibiotikëve pa të gjithë analizat mirkobike, sepse nuk mund të përdoren antibiotikët sepse kështu ka qënë bërë dhe të vazhdojmë me modelin e vjetër. Eshtë përgjegjësi e drejtuesve të institucioneve dhe stafeve teknike për t’i shpallur luftë antibiotiko-rezistencës”,- tha Manastirliu.