Bajram Begaj deklaroi sot se “Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik”.
Në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, presidenti Begaj theksoi se “askush nuk ka pse çuditet përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë”.
“Kjo ka qenë dhe mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen time e të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal e ndërkombëtar”, u shpreh Begaj.
“Gjatë takimit me presidenten Osmani vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin e thellimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet. Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë duhet të jenë gjithmonë të mira dhe duhet të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, politik, ekonomik, social dhe kulturor si dhe për të avancuar në progreset integruese euroatlantike”, nënvizoi Begaj.
Kreu i shtetit tha se “karakteri strategjik mes dy shteteve tona është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të gjithë rajonit”.
Presidenti Begaj u shpreh se “një vëmendje të shtuar i kushtuam zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Shpreha kënaqësinë që gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme Kosova është bërë një partner mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë”