Sunday, May 5, 2024
HomePolitikëBorrell paralajmëron edhe një takim tjetër të liderëve evropianë

Borrell paralajmëron edhe një takim tjetër të liderëve evropianë

-

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic. Disa takime të tilla u zhvilluan më herët në Bruksel, në margjina të një samiti të BE-së. Ato shihen si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të armatosur në Banjskë.

“Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu”, u tha Borrell gazetarëve.

Kurti dhe Vuçiq u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.

“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, tha kryeministrja italiane. Derisa Kurti dhe Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se përgëzon kryeministrin e Kosovës “për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit, si një kuadër për negociatat vijuese”.

“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Rama në platformën X. Burimet e BE-së thonë se “gjërat po ecin”, por nuk saktësojnë se për çka bëhet fjalë. Ndonjë takim i përbashkët i Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar, por i njëjti nuk përjashtohet nëse, siç thonë burimet, ka përparim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Stano tha se ndonjë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit, tash për tash, nuk është planifikuar. Por, disa burime diplomatike në Bruksel thanë se takimi i tyre i përbashkët do të varet nga takimi me udhëheqësit evropianë. Përfaqësuesit e këtyre të fundit janë pjesë e “pesëshes së madhe” që vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe u paraqiti një plan për normalizimin e marrëdhënieve.

Stano konfirmoi se plani përmban një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa, sipas burimeve të BE-së, nga Serbia kërkon të konfirmojë mbështetjen e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve. Qeveria e Kosovës tha se Kurti është pajtuar që ky plan të jetë “korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate”.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se Serbia është e gatshme të bisedojë për planin, por pranoi se “takimet e planifikuara nuk do të jenë të lehta”. Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si “rrugën e vetme për arritjen e një marrëdhënieje paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts