Thursday, May 2, 2024
HomeAktualitetParalajmëron Balla: Masa ndaj kujtdo që ngre dorën ndaj shtetit

Paralajmëron Balla: Masa ndaj kujtdo që ngre dorën ndaj shtetit

-

Prezantohen sot rezultatet e operacionit kombëtar ‘Tempulli’. Gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm, Taulant Balla paralajmëroi masa ndaj kujtdo që ngre dorën ndaj shtetit, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit do të jetë në një standard të ri, si me rrogat, por edhe me trajtimet e tjera ndaj tij.

“Mirëmëngjes!

Nuk e fsheh dot gëzimin të shoh sot këtu të shëruar plotësisht dy djem të shkëlqyer, pjesëtarë të organizatës së Policisë së Shtetit, Redin Caushaj dhe Edlir Alleshi, të cilët në ushtrimin e tyre të detyrës, u plagosën rëndë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, garantuesi themelor i së cilës është Policia e Shtetit. Kush nuk i bindet urdhrit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë ZERO.

Nëse qytetari mendon se ai ka të drejtë ndërsa punonjësi i policisë e ka gabim, qytetari ka gjithë të drejtën dhe mekanizmat ta apelojë vendimin apo urdhërin e punonjësit të policisë në rrugë administrative, por çdo veprim kundërshtimi me forcë nuk duhet të tolerohet. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin, por ne duhet të vendosim një standard të ri në autoritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit.

 

As Ligji, as publiku dhe as Unë që të jem i qartë nuk mund të pranojmë më shtyrje, fyerje, kërcënime, kanosje, dhunë dhe rrezikim të jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit. Ka ardhur koha që të japim shembuj të zbatimit sipas gërmës dhe frymës së Kodit Penal, duke vendosur një standard të ri ndaj kujtdo që ngre dorë kundër Policit dhe Shtetit. Kjo duhet të ndodhë në çdo rast, pa asnjë hezitim. Do bëj gjithçka që një politikë/praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë.

 

Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal dhe do të përforcohen në Kodin e ri Penal, si dhe në ligjin për Policinë Shtetit. Në të gjitha takimet që kam patur deri më tani në të gjitha drejtoritë vendore në të 12 qarqet e vendit, ju kam garantuar se meraku që më shoqëron cdo ditë lidhet me dinjitetin e punonjësit të policisë së shtetit. Rritja e standartit të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja.
Prandaj e bëmë fakt dhe kemi tashmë gati 100 banesat e para për vitin 2023, bashkë me të paktën 300 banesa të tjera gjatë 2024 dhe 500 të tjera një vit më pas, të cilat do t’u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë së shtetit që tashmë janë në fazën e përzgjedhur bazuar në kritere të mirëpërcaktuara.

Buxheti 2024 do të na japë mundësinë të bëjmë një rritje të konsiderueshme të pagave në Policinë e Shtetit dhe gjatë vitit tjetër t’i japim një zgjidhje përfundimtare pagesës së munguar të ushqimit për çdo punonjës policie.

Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 10 milionë (që presim të mbyllim deri më 31 Dhjetor) , por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria e turistëve në këtë sezon turistik historik, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik.

Praktika e vendeve të tjera që e kanë kaluar këtë proces ka qenë rritja e njësive policore turistike për të ndihmuar dhe mbrojtur turistët, sepse policia është padyshim një pjesë e rëndësishme e imazhit të destinacionit turistik. Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore. Mirënjohje e merituar për të gjithë efektivët e policisë së shterit të cilët mundësuan një sezon turistik me 0 ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts