Paraqitja pozitive e Shqipërisë në Kampionatin Evropian është reflektuar edhe në renditjen e publikuar nga FIFA. Kuqezinjtë kanë fituar 5 pozicione duke u renditur në vendin e 37 në botë. Skuadra e drejtuar nga Gianni De Biasi e sheh veten me 667 pikë. Goli i Armando Sadikut kundër Rumanisë merr një vlerë gjithnjë e më të madhe, pasi pikërisht ajo fitore ka një ndikim të madhe në pozicionim e ri të Shqipërisë. Ndërsa për tre ndeshjet e tjera të përllogaritura nga FIFA, miqësorja me Ukrainën dhe ndeshjet zyrtare ndaj Zvicrës e Francës, pikët e fituara kanë qenë zero meqë Shqipëria i mbylli me humbje. Ndonëse Shqipëria ka kaluar kombëtare me emër si Rusia e Suedia, duhet theksuar se ajo vazhdon të mbetet në një pozicion të ulët për sa i përket renditjes brenda konfederatës, pasi është e 24-ta mes kombëtareve evropiane. E veçanta në këtë renditje të FIFA-s është edhe përfshira e Kosovës e cila ka bërë në këtë mënyrë edhe debutimin në klasifikimin botëror duke u pozicionuar në vendin e 190 mes 210 vendeve anëtare. Shumë pozicione kanë fituar dy surprizat e Euro 2016, Uellsi dhe Islanda. Skuadra e Chris Coleman kapërcen 15 shkallë dhe e sheh veten në vendin e 11 të kësaj renditje, ndërsa Islanda nga vendi i 34 ngjitet në vendin e 22. Për sa u përket kryesuesve, nuk ka ndryshime. Argjentina vazhdon të jetë në vendin e parë e ndjekur nga Belgjika në të dytin dhe Kolumbia në të tretin dhe menjëherë pas tyre janë Gjermania e Kili. Portugalia, skuadra e sapo shpallur kampione e Evropës ka fituar vetëm 2 pozicione për ta parë veten në vendin e 6. Franca gjithashtu ka fituar 10 pozicione duke u renditur në vendin e 7 për të lënë pas Spanjën, Brazilin e Italinë, që plotësojnë dhjetëshen e parë të klasifikimit të FIFA.