Edhe për rreth 3 javë të tjera tregjet e gjësë së gjallë në të gjithë vendin nuk do të hapen, deri në përmbylljen e vaksinimit të bagëtive për sëmundjen e dermatozës nodulare të gjedhit. Kështu u shpreh drejtori i bujqësisë Mustaf Kraja në përmbyllje të një tjetër fundjave ku tregjet nuk u hapen. Ai falenderoi policinë dhe pronarët për bashkëpunimin, por theksoi se nuk është ndjekur e njëjta frymë nga policia bashkiake që braktisi grupet e punës në terren.
Për fermerët që tentojnë të sfidojnë urdhërin e ndalimit të tregtisë, duke dalë në rrugë për shitjen e gjësë së gjallë, Kraja paralajmëron penalitete.
Me ardhjen e vaksinës që parashikohet nga e hëna ose e marta, për dy ditë të tjera veterinerët do t’i nënshtrohen trajnimit, e më pas nis vaksinimi i kafshëve. Situata ka krijuar paqartësi dhe alarm edhe tek popullata, pasi shumica prej tyre ndjehen të pasigurtë për blerjen e mishit të bagëtive.