Edhe pse një përvjetor i rëndësishëm, 70 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës u braktis nga autoritetet e larta shtetërore dhe deputetet e qarkut Shkoder. Ceremonia e organizuar me këtë rast në njësinë administrative Postribë, shërbeu të bashkonte vetëm vendorët e djathtë, mes tyre edhe të pakënaqurit. Fillimisht u vendosen kurora me lule pranë memorialit kushtuar kësaj ngjarje.
Më pas në këmbë, pjesmarrësit ju drejtuan shkollës së Postribës, aty ku u mbajt programi artistik dhe fjalimet e rastit. Duke vlerësuar këtë ngjarje dhe aktin heroik të të rënëve, kryebashkiakja Voltana Ademi nuk la pa e lidhur mesazhin e kësaj dite me situatën aktuale që po kalon vendi.
Për drejtuesit demokrat kryengritja e Postribës shërbeu si mundësi për të ftuar ndonëse prej së largu banorët e Dibrës të votojnë kandidatin e djathtë, pasi sipas tyre fitorja do të nisë prej atje.
Fjalime nuk munguan as nga familjarët e të rënëve, por edhe të përndjekurit politik.
Ceremonia e këtij viti më së shumti në fjalime i ngjau tribunave politike ku bëhen thirrje për votime, edhe pse ngjarja nuk ka asnjë lidhje me të tilla mesazhe. 9 shtatori i 1946, shënoi revoltën e parë antikomuniste dhe me përmasat që mori, u cilësua e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europën Lindore.