Kalimi në parlament i ligjit të mbetjeve është shoqëruar me reagime të ndryshme qytetare. Pas Tiranës, modeli i shkrimit të emrave të deputeteve që e kaluan këtë ligj në kazanët e mbeturinave është shtrirë edhe në Shkoder. Mbrëmjen e së premtes forumi rinor i partisë demokratike ndërmori nismën për shkrimin e emrave të një pjesë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të majtë, në disa prej kazanëve të mbeturinave, si një formë proteste kundër këtij ligji. Në top listën e emrit të shkruar në kazanët e vendosur kryesisht në qender të qytetit dhe akset më të frekuentuara, është ai i kryeministrit Rama, por nuk mbesin pas edhe ministrat Tahiri, Nikolla e Kodheli, apo deputetët Dade, Majko e Dokle. Reagimi qytetar kundër ligjit për mbetjet e riciklueshme nisi që përpara kalimit të tij në kuvend, por kjo gjë nuk e pengoi mazhorancën t’i ndizte dritën jeshile këtij ligji. Frymëzim për këtë formë proteste ishte fjala e deputetit Ben Blushi i cili nga foltorja e kuvendit kërkoi që çdo deputeti që e ka votuar në 2011 këtë ligj dhe e rivoton në 2016-en, ti shkruhet emri në kazanët e plehrave. Model që nuk vonoi të shtrihet nga Tirana në Shkoder. Nëse ligji do të marrë firmën e presidentit, atëherë qytetarët do të mbledhin 20 000 firma për ta dërguar në referendum.