Korrupsioni në radhët e arsimit vijon të mbetet një plagë që nuk po gjen shërim, e kur flitet për universitetet ai ngjan si një nga praktikat më të përhapura. Jo vetëm marrja e parave nga pedagogët, por edhe presioni që bëhet ndaj këtyre të fundit prej studentëve është një shqetësim serioz thotë rektori i universitetit “Luigj Gurakuqi” Adem Bekteshi. Duke pranuar se fenomeni nuk luftohet i vetëm, ai kërkon që në të dy rastet të ketë identifikim të personit dhe marrje masash.
Përpara nisjes së vitit të ri akademik do të ketë një analizë të hollësishme mbi korrupsionin me anëtarët e senatit të universitetit. Porosia është e qartë, por edhe synimet që ky institucion ka.
Në media gjatë viteve të fundit ka patur një seri denoncimesh mbi marrjen e provimeve përmes zarfave, që në fakultete të caktuara shuma që i paguhet një profesori shkon deri në 300 euro. Morisë së këtyre skandaleve nuk i ka shpëtuar as universiteti i Shkodres, ku rasti më i freskët ishte ai i pedagoges së bio-kimisië që vijon të jetë në kërkim nga policia.