Pjesa më e madhe e verilindjes së vendit është zgjuar nën bardhësinë e dëborës, ndërsa termometri shënon disa gradë nën zero. Problemet e para janë shfaqur në akset rrugore drejt Pukës dhe Fushë – Arrëzit, ku trashësia e saj arrin nga 20 deri në 50 cm. Megjithatë drejtues të shtabit të emergjencave civile në Shkoder thonë se situata nuk paraqitet problematike dhe të gjithë firmat kontraktore janë në terren.
Edhe sa i përket furnizimit me medikamente, apo energji elektrike nuk janë raportuar probleme, ku për çdo emergjencë në zonat e thella malore bluzat e bardha mund të kërkojnë ndërhyrje nga ajri nëse lind nevoja.
Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave civile në aksin Laç – Vau i Dejës – Fushë Arrëz, ka 20 cm borë, punohet me 3 borëpastruese. Në aksin Kroi iHadroj – Qafë Benë, ka 20 cm borë dhe në aksin Fushë Arrëz – Fushë Dukagjin, ka 30 – 50 cm borë. Në të gjitha këto akse qarkullimi kryhet me zinxhirë. Reshje debore që kanë krijuar vështirësi në qarkullim, si pasojë edhe e ngricave, janë edhe zonat: Qafe Mali – Dardhe, në Pukë, Qafe Thore – Theth, në zonën e Malesise se Madhe dhe Tamare – Vermosh.