Në të gjithë vendin vijojnë kushtet e rënduara të motit me temperatura disa shkallë poshtë zeros, që kanë shkaktuar probleme në jetën dhe aktivitetin e përditshëm të banoreve. Problemet kryesore janë krijuar në qarkullimin në rrugë dhe në mjaft qytete, edhe në furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Ngricat në rrugë, akulli i krijuar, bora e hedhur për shkak të erës së fortë janë një problem i vazhdueshëm për drejtuesit e mjeteve. Strukturat e angazhuara me mirëmbajtjen e rrugëve, kanë vijuar punën për hapjen e rrugëve nacionale të cilat janë të qarkullueshme pa zinxhirë në pjesën dërrmuese te tyre. Mbeten disa akse rurale ende të pahapura ku po punohet vazhdimisht që të bëhet i mundur qarkullimi i mjeteve. Situata ne qarkun Shkoder gjate këtyre orëve paraqitet e tillë: Në Njësinë Administrative Pult është e njëjta gjendje, temperaturat janë të ulëta dhe mungon energjia elektrike. Segmenti rrugor për në Njësinë Administrative Shalë, qarkullohet me vështirësi, pavarësisht se është pastruar nga dëbora por ka prezencë të ngricave. Vazhdon puna për zhbllokimin e rrugës në drejtim të Bregut të Lumit nga Mali i Shoshit. Segmenti për në Qafën e Malit të Shoshit hapur por nevojiten edhe 2-3 ditë punë për zhbllokimin e rrugës Mali i Shoshit – Theth. Ka nisur identifikimi i popullatës së bllokuar në tre Njësi Administrative të Dukagjinit, si dhe nevoja për ushqime për blegtorinë në fermat e kësaj zone. Në Vaun e Dejës ka problem të furnizimit me ujë të pijshëm nga ngrirja e tubacioneve në banesa. Njësia Administrative Bushat ka të njëjta probleme me furnizimin me ujë të pijshëm për shkak të ngrirjes së tubacioneve të konsumatorëve. Njësia Administrative Hajmel rezulton me mungesë të energjisë elektrike, pasi era e fortë ka dëmtuar rrjetin elektrik të tensionit të lartë. Njësia Administrative Vig Mnelë vazhdon të jetë pa energji elektrike dhe pa furnizim me ujë të pijshëm. Segmenti Qafë Bordoleci–Vermosh, trashësia e dëborës mbi 80 cm e pa kalueshme. Po punohet për zhbllokimin e këtij segmenti me një mjet borëpastruese. Rrugët e Bogës dhe Razmes janë të kalueshme me zinxhir nga të gjitha mjetet. Aksi rrugor Qafë Mali–Qafa Shllak, në territorin e rrethit Pukë është i hapur por në disa pjesë të saj qarkullohet me zinxhirë. Aksi rrugor Bardhet – Iballë ende i bllokuar por ka edhe 7 km për tu hapur. Rrugët e tjera janë të kalueshme por mjetet e tonazhit të vogël duhet të përdorin zinxhirë për shkak të prezencës së ngricave në rrugë. Në bashkinë Fushë-Arrëz raportohet për mungesë të energjisë elektrike në fshatrat Tuc, Kokedode, Levoshe. OSHEE po punon intensivisht për rikthimin e energjisë elektrike në këto zona. Emergjenca shëndetësore nuk ka pasur. Bashkia Shkodër dhe Malësi e Madhe, po bashkëpunojnë me dy mjete për të hapur akset Qafë Thore dhe Shosh.