Zemrën e bëri gurë dhe sapo temperaturat nisen të rriten, Voltana Ademi la ngrohtësinë e zyrës dhe mori rrugën në drejtim të maleve me deborë.
E kënaqur për arritjet dhe e bindur se puna që po bën administrata e saj shkon vaj, vendosi të ndërmarrë një xhiro me makinë drejt Thethit turistik. Nuk arriti të depertojë deri në brendësi të fshatit, por ishte kujdesur që sa për pamjet filmike që i nevojiteshin për t’i shpërndarë në rrjetin social facebook, të tharrasë edhe disa banore, si dhe punëtorët që ka në varësi. Misionin e kreu, doli dhe e panë, më pas u rikthye në strofën e ngrohtë, aty ku e lumtur vijon pa ndalë punën drejt të tjera arritjeve imagjinare. Nuk nguron t’i thurë lavde vehtes përmes të punësuarve, ndërsa videot që shpërndan i shoqëron në jo pak raste me komentet “Punë jo fjalë”. Kryetarja e bashkisë duhet ta kuptojë më mirë së askush tjetër se i zgjedhur nuk është privilegj, as luks, por shërbim ndaj komunitetit që të ka votëbesuar. Nuk duhet të dilet në terren sa për tu dukur pas kritikave të medias, me argumentin se gjoja po punohet dhe mban shqetësimet e banorëve, por të angazhohet seriozisht për shërbime më të mira tek të gjithë. Shpërndarja e të tilla videove dhe propaganda që po bën Voltana Ademi vehtes, nuk është asgjë më shume veçse bumerangu i saj i radhës. Debora ka qënë prej ditësh atje, ashtu siç edhe do të vijojë të qëndrojë ndoshta edhe me muaj, prandaj kryetarja e bashkisë duhet t’i përvishet seriozisht punës, e të lërë pas të tilla shfaqje teatrale që nuk i shërbejnë askujt, pasi banorët atjë janë ata që vuajnë pasojat e dimrit të acartë.