Bashkia Shkoder braktis Thethin

0
261

Në vend të zgjidhjes, gjë për të cilën janë votëbesuar, drejtuesit e bashkisë Shkoder vijojnë të merren me deklarata shterpë, e në të njëjtën kohë duke i lënë në mëshirë të fatit banorët e Thethit. Pasi u informua për mbërritjen e mediave në Qafë Thore, ku nga kjo zonë banorët kërcënuan me bojkot të zgjedhjeve, kryetarja e bashkisë Voltana Ademi shpejtoi të urdhërojë mbërritjen në këtë zonë malore të n/kryetarit Arben Gjuraj për të dhënë deklaratën institucionale. Kur pritej që të flitej për zgjidhje të problemit dhe nisje të pastrimit të dëbores, bashkia vijoi të tregojë kufinjtë.

Pamjet e servirura nga zyra e shtypit të bashkisë Shkoder tregojnë qartë se numri dy i këtij institucioni thjesht bëri një kalim pa mundur të hyjë në Qafë Thore, e jo më në zonën turistike të Thethit. Bashkia Shkoder e ka në territorin e saj këtë perle të turizmit, por deri më sot ajo vetëm e ka braktisur pa i dhënë qoftë edhe ndihmën më të vogël. Përveç mos hapjes së rrugës, atje ka edhe një mori problemesh që presin bashkinë të kujtohet për ta, ashtu siç bën më taksat që banorëve nuk ka harruar t’ua vjelë. Përpara se kryetarja Voltana Ademi të kujdeset për “shoë-n” mediatik që do ti sërvirë qytetarëve, të kujtohet që ka një post për të cilin është zgjedhur të shërbejë e të gjeje zgjidhje, e jo të merret me fjalë boshe.