Pasi ka konsumuar pushimin e së hënës që vinte një ditë pas ndeshjes së fundjavës me Korabin, Vllaznia ka nisur të marten përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet këtë fundjavë në stadiumin “Loro Boriçi” përballë Skenderbeut kampion. Një ndeshje e vështirë kjo për skuadrën e Cungut, por që gjithësesi kuqeblutë do të përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre për të marrë pikë në mënyrë që të vijojnë të qëndrojnë në pozita komode të mesit të tabeles së klasifikimit. Përpos vështirësisë që përmban në vetvete kundërshtari si ekip, për teknikun Cungu do të ketë jo pak problem edhe me mungesat që pritet të ketë në këtë sfidë, ku krahas atyre me dëmtime i shtohen edhe skualifikimet me kartonëve të verdhë. Kështu mbrojtësit Endri Vrapi dhe Olsi Gocaj, si dhe mesfushori Ardit Krymi me kartonët e marrë ndaj Korabit janë të pezulluar për sfidën e radhës ndaj Skënderbeu. Këto janë tre mungesa zyrtare dhe të sigurta për Cungun që vijnë për arsye kartoni, por ajo që tërheq vemendjen është një infermieri e mbushur plot me dëmtime. Në seancen e së martes zhvilluar si zakonisht në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” nuk janë stervitur me skuadrën Cicmil, Kapaklia, Pjeshka, Marku, Muleno dhe Erkoçeviç. Plot gjashtë të dëmtuar që duke i shtuar edhe tre të pezulluar, numri i mungesave shkon në nëntë. Më i prekuri në këtë drejtim është reparti i mbrojtjes, kur gjashtë prej tyre i përkasin këtij reparti, Cicmil, Pjeshka, Marku, Muleno, Vrapi dhe Gocaj. Mungesa kto që e bëjnë me dhimbje koke trajnerin Cungu, të cilit do t’í duhet të improvizojë një formacion krejt tjetër në krahasim me javët e mëparshme. Ndërkohë, lajmi më i freskët që vjen nga zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit ka të bëjë me kalendarin e ndeshjeve të javës së 23-të të Superliges së futbollit shqiptar, ku për çiftin Vllaznia-Skenderbeu është vendosur që ndeshja të luhet diten e shtunë në orën 17.00.