Ngritja e një çadre përpara bashkisë Shkoder nga vetë ky institucion për aktivitetet kushtuar javës së familjes, u kthye në mollë sherri e përplasjesh mes policisë së shtetit dhe punonjësve bashkiak.
Policia tentoi të ndalojë ngritjen e saj, pasi pasdreken e së hënes, në po të njëjtin shesh kryeministri i vendit ka lajmëruar një takim me socialistët e Shkodres. Ndërhyrja e policisë irritoi punonjësit e bashkisë që nuk kursyen shtyrjet me efektivët, duke qënë të vendosur në ngritjen e çadres. Pas bisedave dhe ndërhyrjes së shefit të komisariatit Hamdi Shullani, u vendos lejimi i ngritjes së saj, deri në orët e drekës, për të lënë më pas vendit përgatitjeve për aktivitetin e kryeministrit. Por bashkia Shkoder duket se nuk do të terhiqet, pasi në komunikimin me mediat, vetë kryetarja Voltana Ademi theksoi se aktivitetet janë programuar edhe pasdreke, nga ora 17.00 deri në 20.00. Ajo e quajti të jashtëligjshme ndërhyrjen e policisë dhe i bëri thirrje Edi Ramës të mos provokojë.
Incidenti i krijuar u ndoq nga afër edhe prej kandidatëve për deputet dhe kryetari i PS Shkoder, që kërkuan nga policia me ngulm mos lejimin e ngritjes së çadres, duke e cilesuar si provokim. Prej orëve të para të mëngjesit të së hënës ne pedonalen e Shkodres kishin mbërritur automjetet me skenen dhe foninë që do të garantojë mbarevajtjen e takimit të kryeministrit, por pa mundur të hapen. Zyra e shtypit e kryeministrit pas asaj qe ndodhi ne Shkoder, njoftoi se takimi do te zhvillohet perpara prefektures.