Me zonën e Malësisë së Madhe kanë nisur këtë vit fotografimet ajrore të guardia di finanza, për parcelat e kultivuara me kanabis në territorin Shqiptar.
Pasi autoritetet shqiptare i kanë dorëzuar oficerëve italianë hartën e zonave me risk, këto të fundit nuk kanë vonuar të veprojnë, duke nisur aksionin ajror nga qarku i Shkodres, i listuari më problematiku në vend bazuar nga pervoja e viteve te shkuara. Ditën e parë ato kanë fotografuar Malësine e Madhe, ndërsa gjatë ditës së marte janë përqëndruar në zonat e tjera të këtij qarku, kryesisht në malësinë e Dukagjinit. Përballë mjeteve të pakta që disponojnë uniformat blu por edhe kapacitetet e tyre për t’i inspektuar që janë tejet të limituara, pritet që ky fotografim ajror të lehtësojë operimin në terren të forcave policore, që duke ndërhyrë në vendin ku është kultivuar kanabisi, nuk humbin kohë në kërkime. Për shkak të problematikës së hasur në 2016-n, këtë vit është parashikuar që të kryen 30% fluturime më shumë. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar që në vitin 2012, në bordin e avionit special që fotografon nga lartësi deri në 800 metra nga toka, qëndron gjithmonë edhe një efektiv i Policisë së Shtetit. Sipas procedurave, pasi evedentohen parcelat, koordinatat i kalohen Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila ia kalon drejtorive të qarqeve të cilat më pas bëjnë asgjësimin. Megjithëse qeveria ka hartuar një plan kombëtar për t’i dhënë fund këtj fenomeni, deri më tani janë zbuluar dhjetëra parcela, çka do të thotë se trafikantët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kultivimi. Një vit më parë nga Guardia Di Financa u monitorua vetëm 20% e territorit që sipas policisë ishte me risk. Sipas raportit zyrtar të dalë në muajin tetor sipërfaqja ishte 506 hektarë, prej të cilave 213 të kultivuara me kanabis. Nga monitorimi ajror i vitit që lamë pas policia tha se 99% parcelave të evidentuara u asgjësuan me rreth 32,8 tonë marijuanë në një kohë që vetëm 4 muajt e parë të këtij viti janë sekuestruar 30 ton kanabis. Shifrat tregojnë se sipërfaqet ku mund të mbillet hashashi janë akoma më të mëdha, madje dhe në zona ku nuk është mbjellë asnjëherë.