Saturday, April 20, 2024
HomePolitikëAnaliza/ Mustafa Nano: Pse bashkëpunimi me LSI-në është e vetmja rrugë për...

Analiza/ Mustafa Nano: Pse bashkëpunimi me LSI-në është e vetmja rrugë për Bashën

-

INTERVISTA

Lulzim Basha është konfirmuar në krye të Partisë Demokratike, mes debatesh e dyshimesh të shumta që vijnë kryesisht nga krahu kundërshtar i tij në PD. Me gjithë kontestimet ai nis një betejë të re për ringritje të Partisë Demokratike. Besoni ju se hapat e tij drejt ringritjes së PD-së do të jenë të shpejtë dhe cilat janë pengesat kryesore në këtë rrugë?
Unë nuk besoj se Partia Demokratike mund të ringrihet. Do të ishte një mrekulli nëse kjo parti do të ringrihej. Por unë nuk besoj te mrekullitë. Ka vetëm një mënyrë për ta ringritur atë parti (por edhe kjo nuk është e sigurt): I duhet hequr nga duart Berishës e më tej duhet synuar deberishizimi i plotë i saj. Mirëpo nuk kam parë asnjë njeri brenda PD-së që ta çojë në mendje këtë gjë. Kjo është tabuja e madhe e paprekshme mes demokratëve. Kundërshtarët e Bashës janë po aq berishianë sa edhe Basha vetë. E vutë re gjatë zgjedhjeve në parti? Të gjithë, Basha, Selami, Patozi etj., e kishin mendjen të mos e prishnin punën me Berishën.

Në vitin 2013, kur Basha fitoi në garën përballë Olldashit, e nisi detyrën e tij si kryetar i PD-së me thirrjen për bashkim. E ka përsëritur thirrjen edhe pas rizgjedhjes më 22 korrik. Duket sikur s’ka ndryshuar asgjë në gjuhën e tij politike, por partia është më e përçarë se më parë. Kujt i drejtohet kjo thirrje sepse pjesa kryesore e elitës së PD-së është tashmë jashtë partisë, në pozicione “luftarake” me Lulzim Bashën, pa gjasa për t’iu bashkuar në ringritjen e PD-së?

Unë nuk shoh si problem përçarjen. Kundërshtarët e Bashës nuk kanë zgjedhës pas vetes, nuk kanë fuqi të krijojnë ndonjë fraksion, aq më pak ndonjë parti. Unë shoh si problem demotivimin e votuesve të PD-së. Votuesit e PD-së janë të gjithë berishianë, asgjë tjetër. Mirëpo, tani që kanë kuptuar se Berisha nuk është më një faktor apo që Berisha nuk ka plan tjetër, veçse të kërkojë garanci se nuk do t’i vënë prangat, ata e kanë humbur toruan. Nuk ka burrë nëne që mund t’i çojë te kutitë e votimit.

Çfarë duhet të bëjë Lulzim Basha për të mbërritur te lideri i fortë e karizmatik, i gatshëm të çojë PD-në drejt pushtetit?… A do të ishte zgjidhje për Bashën një riorganizim i strukturave të larta drejtuese të partisë ku mund të bëheshin pjesë personalitete të rëndësishme të shoqërisë, përmes një procesi të hapjes së PD-së.. pra një elitë e re politike, e ndryshme nga kjo e sotmja që na shfaqet përmes grupit të ri parlamentar të PD-së?
Pyetja ime është: Kush mund t’i shkojë Bashës nga pas? Ai pati një grup njerëzish pas vetes për gjashtë muaj me radhë, dhe sot nuk i ka mbetur askush. Përveç deputetëve.

Çfarë ndikimi besoni se do të ketë LSI, tashmë e drejtuar nga Monika Kryemadhi në opozitarizmin e PD-së? A i intereson Bashës të bashkëpunojë me LSI-në në opozitë që do të diktonte më pas aleancë me të?
Në terma konkretë, bashkëpunimi me LSI-në është e vetmja gjë që i ka mbetur Bashës. Mirëpo, ky bashkëpunim nuk është i thjeshtë. Këto dy parti do jenë në garë për t’i marrë votues njëra-tjetrës. Dhe të dyja kanë një elektorat të shastisur. PD-ja për arsyet që thamë, e LSI-ja për arsye se në opozitë nuk di të funksionojë. Unë shoh ditë të këqija edhe për LSI-në. Do t’i ikin të vetët një e nga një. Shenjat janë dhënë.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts