Wednesday, April 24, 2024
HomeAktualitetPse shqiptarët çojnë fëmijët për azil dhe rreziku i trafikimit

Pse shqiptarët çojnë fëmijët për azil dhe rreziku i trafikimit

-

Nga Erneta Shevroja

Është fakti i ditur që shqiptarët janë të parët në rajon për sa i përket numrit të lartë të qytetarëve që kanë tejkaluar kufijtë me shpresën se do të fitojnë statusin e azilit në ndonjë vend të Bashkimit Europian. Në Francë shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë sa i përket numrit të shtetasve që kërkojnë të përfitojnë azil. Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë vitit 2017 Franca kishte numrin më të lartë të kërkesave për azil nga ana e shqiptarëve. Vetëm në janar 1.030 shqiptarë kërkuan azil në Francë, ndërsa në shkurt numri ishte 880, në mars 1.200 dhe në prill 1.170. Për këtë problem Franca thirri në një takim urgjent ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatin ku u theksua se problematika më e madhe ishin fëmijët, të mitur dhe adoleshent të pashoqëruar që gjendeshin në kampet në pritje të një përgjigje pozitive për të përfituar azil. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, AFP ka shkruar dje lidhur me këtë fluks dhe ka pyetur të afërm të atyre që janë në kërkim të azilit.

Rrëfimi

Shitësja e një tregu të vogël në Shqipëri tregoi për AFP se pagoi 1 mijë e 200 euro që një “njeri i besuar” t’ia shoqëronte djalin e saj 16-vjeçar për në Francë, në fund të vitit të kaluar, aty ku ai iu bashkua mijëra azilkërkuesve të tjerë që vinin nga Ballkani. “Është një sakrificë e madhe. Çdo natë i lutem Zotit”, i tha Bukuria gazetarit të AFP, që dëgjoi rrëfimin e saj. 40-vjeçarja kërkoi të mos i dalë emri në media, pasi i frikësohet problemeve që mund të ketë me autoritetet. Ajo tregoi se i biri, djali i saj i vetëm, sot jeton në një qendër për fëmijët e pashoqëruar nga prindërit. “Mëson frëngjisht me shpresën se do të nisë pastaj një kurs gatimi, në mënyrë që kur të arrijë moshën 18 vjeç, të ketë mundësi të qëndrojë në Francë”, ka treguar ajo. “Dëshira ime e vetme është një e ardhme më e mirë për të”, ka shtuar nëna e 16-vjeçarit. Afërsisht 29 mijë shqiptarë kërkuan azil në Bashkimin Europian për vitin 2016, sipas Eurostat, pra 1% e popullsisë prej 2.9 milionë vetash. Kjo shifër e rendit Shqipërinë, një vend aspirant të BE-së krahas kombeve të Sirisë, Afganistanit, Pakistanit, Iranit apo Eritreas. Pavarësisht se konsiderohet një vend i sigurt dhe demokratik, Shqipëria mbetet ndër burimet kryesore të azilkërkuesve për Bashkimin Europian, një skemë emigrimi, të cilën Tirana është zotuar ta ndalë.

Emigrimi masiv i shqiptarëve, shkruan AFP, vjen nga një rrogë mesatare prej 340 eurosh në Shqipëri dhe nga papunësia, që prek një nga tre të rinj. Bukuria tregoi sesi ajo dhe i shoqi përpiqen ta mbajnë familjen prej 7 personash, duke shkuar çdo ditë nga fshati ku jetojnë, drejt kryeqytetit, për të shitur pak perime dhe 2 a 3 litra qumësht. “Nuk mund ta gjykosh keq një nënë, se e vetmja gjë që ajo mendon, është një ardhme më e mirë për fëmijën e saj” thotë ajo. “Ne kemi vendosur ta ndalim këtë fenomen, që na shqetëson vërtet” thotë për AFP, Rovena Voda, zv.ministre e Brendshme, që e njeh realitetin e fëmijëve që udhëtojnë jashtë të pashoqëruar nga prindërit. Shifrat e Eurostat tregojnë se destinacioni kryesor i shqiptarëve të parë që kërkuan azil ishte Gjermania. Por Franca u bë tërheqëse në fillim të vitit 2017. Më shumë se 4 mijë qytetarë shqiptarë kërkuan azil në Francë në 6 muajt e parë të këtij viti, sipas Aida Hajnaj, Drejtoresha e Kufirit në Polici. Muajin e kaluar, Ministri i Brendshëm, Zherar Kolomb e përshkroi fluksin “një problem thelbësor”, që duhej zgjidhur sa më parë. Kujdesi i autoriteteve franceze për azilkërkuesit shqiptarë vazhdon deri kur kërkesa e tyre merr një përgjigje-por ndërkohë ata përfitojnë një pjesë të mirë të kapaciteteve që kanë francezët.

Në anën tjetër janë edhe azilkërkuesit që vijnë nga vendet e shkatërruara nga lufta. Franca ka një avantazh të rëndësishëm në sytë e aplikantëve: ngadalësia e procedurave, thonë burime nga policia shqiptare. “Koha për të marrë përgjigje mund të zgjasë deri në një vit. Kjo kohë shfrytëzohet prej tyre për të kaluar në Britaninë e Madhe”, shkruan AFP. Kërcënimet e Parisit dhe Berlinit për rikthim të vizave ndaj Shqipërisë duket se ka vënë para përgjegjësisë autoritetet shqiptare. Gjatë takimit që ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati pati me Kolomb në korrik u prezantua “një plan, që do të sjellë rezultate brenda tre muajsh, për emigrimin e paligjshëm”, shprehet Voda. Plani parashikon kontrolle më të forta ndaj atyre që ikin, sidomos për të parandaluar emigrimin e të miturve të pashoqëruar. Qëllimi tjetër është goditja e rrjeteve kriminale të trafikut. Policia shqiptare “po heton agjensi, kompani ligjore, shoqata apo zyra regjistrimi që shesin dëshmi të falsifikuara për azilkërkuesit” sipas Vodës. Nga janari në maj, 1083 qytetarë u riatdhesuan pasi u zbuluan me dokumente të falsifikuara nga autoritetet franceze.

Sipas policisë, për të vërtetuar se jeta e tyre është në rrezik, ka raste që azilkërkuesit shpërthejnë mjetet e tyre me eksploziv para shtëpive të tyre. Një mënyrë tjetër është dëshmia se ata janë viktima të mundshme të hakmarrjes, të rrezikuar nga zakonet shqiptare të gjakmarrjes. Konfliktet për pronën, diskriminimi seksual dhe dhuna në familje janë një sërë arsyesh të tjera që paraqesin shqiptarët për të kërkuar azil. Janë prindër si Bukuria, që shpesh detyrohen të organizojnë vetë largimin e fëmijëve të tyre nga shtëpia. Në vitin 2016, më shumë se 500 fëmijë të pashoqëruar shqiptarë u regjistruan në Francë, sidomos në lindje të vendit. Por prindër “që mendojnë se po i çojnë fëmijët e tyre drejt një të ardhmeje më të mirë… nuk e kuptojnë se një pjesë e tyre bien pre e trafikantëve”, thotë Alan Bushon, drejtues i një shoqate në një qytet në lindje të Francës, në qytetin e Bourg-en-Bresse. Trafikantët “i detyrojnë ata të prostituohen apo të lypin”, thotë Bushon.

Shqiptarët fshihen në bagazh për të kaluar kufirin për në Angli

Historia e shqiptarëve që kërkojnë me çdo mënyrë të kalojnë kufirin shqiptar dhe të hyjnë ilegalisht në shtetet e tjera të Europës, ka prekur pothuaj çdo vend. Ditën e djeshme është njoftuar për tre shqiptarë që janë kapur nga policia angleze, të fshehur në bagazhe. Këto shtetas janë ndihmuar nga pritës, për të cilat autoritet angleze thonë se po mendojnë vetëm si të mbushin xhepat e tyre. Tre shqiptarët janë arrestuar në Birmingham të Anglisë, në përpjekje për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Eduard Karaj 39 vjeç, Ilir Hani 44 vjeç dhe Vullnet Karaj 41 vjeç, u gjetën të fshehur në bagazhin e dy makinave të ndryshme dhe pritet të burgosen më 18 shtator. Ata po ndihmoheshin të kalonin kufirin nga një 46-vjeçar, Lee Anderson, i cili ishte dhe shoferi i njërës makinë, Gillian Barker, 47, shoferi i makinës tjetër dhe Jason Coëley, të cilët po ashtu u arrestuan.

David Fairclough, drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Kriminalitetit tha se kjo bandë u përpoq të transportonte shqiptarët me qëllimin për të mbushur xhepat e tyre. “Është e qartë se kjo bandë u përpoq të organizonte këto përpjekje kontrabandimi për të rregulluar xhepat e tyre, me pak ose aspak mendime për sigurinë e njerëzve”, tha ai. Ndërkaq, sirianët, afganët dhe irakianët janë të parët në listën e vendeve që kanë kërkuar azil në shtetet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2016. Agjencia evropiane e statistikave, Eurostat ka publikuar të dhënat mbi migrimin për vitin 2016, ku shqiptarët ia kanë kaluar edhe sirianëve për nga numri i lartë për azil.

Sipas shteteve, shqiptarët janë të tretët që kanë kërkuar azil në Irlandë, ndërsa në Francë zënë vendin e parë, duke lënë pas afganët dhe sudanezët. Në Francë kanë aplikuar për azil gjithsej 75 990 persona, 9% e të cilëve janë nga Shqipëria ose 6 850 persona. Në Luksemburg shqiptarët janë të dytët, pas sirianëve, duke regjistruar 220 kërkesa. Në Holandë, shqiptarët janë të tretët me 1 665, duke u renditur pas sirianëve dhe emigrantëve nga Eritrea, ndërsa në Islandë janë të dytët, me 230 kërkesa duke u renditur pas emigrantëve nga Maqedonia. Në total, gjatë vitit 2016-të kanë emigruar 28 925 shqiptarë, ose 2% në e totalit të emigrantëve në BE.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts