Tuesday, April 16, 2024
HomeEkonomiPronat/Si do bëhet kërkesa për aplikime për kompensim

Pronat/Si do bëhet kërkesa për aplikime për kompensim

-

 

Ndryshimet e reja që pritet të prekin Agjencinë për Trajtimin e Pronës, do të sjellin dhe ndyshime për qytetarët të cilët aplikojnë për kompensimin e pronave. ATP pritet të bashkohet me ALUIZNI-n, ndërkohë që gazeta sjell të plotë, procedurën që do të ndiqet për kërkesat që do bëhen për aplikim në mënyrë që të merret kompensim në lekë, ose kompensim fizik.

Kërkesa e posaçme
Subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ligjorë ose përfaqësuesi i tyre me prokurë, depoziton në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet postës, kërkesën e motivuar për njohjen dhe kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, sipas këtij vendimi, me të cilin provon pretendimet e tij.Kërkesa e subjektit të shpronësuar, trashëgimtarëve të tij ligjorë ose përfaqësuesit me prokurë, duhet të jetë sipas formularit tip, bashkëlidhur këtij vendimi, për aplikimin e kërkesave për njohje e kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë.

Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: a) dokumentacioni ligjor; b) dokumentacioni hartografik; c) vërtetime për përfitim nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore. Dokumentacioni ligjor përbëhet, sipas rastit, nga: a) dokumentacion hipotekor, kadastral, arkivor, vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/ Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së, dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të cilat janë sekuestruar sipas nenit 14, të ligjit nr.37, datë 13.1.1945, “Ligja e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës ose çdo dokument tjetër ligjor i lëshuar nga institucionet shtetërore i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes”. b) kur një nga dokumentacionet e sipërpërmendura ligjore paraqet mangësi lidhur me sipërfaqen dhe kufijtë e pronës së pretenduar, subjekti depoziton vendimin gjyqësor të formës së prerë së bashku me planvendosjen e pronës, objekt gjykimi, të vulosura nga gjykata, si dhe aktekspertimin, në rast se gjatë gjykimit të çështjes në gjykatë është kryer një i tillë.

Dokumentacioni hartografik aktual, i cili përmban çdo të dhënë topografike dhe hartografike të pronës së pretenduar, të pasqyruar në hartën aktuale dhe të konfirmuar nga institucioni ku, sipas rastit, mund të jetë zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi, ose Drejtoria e Shërbimit Pyjor, për pyjet e kullotat dhe tokat e tjera jobujqësore, si dhe pozicionimin e pronës së pretenduar me inxhinier/gjeodet të licencuar, me përjashtim të rasteve kur pozicionimi i pronës është kryer me vendim gjykate të formës së prerë.

Problematika
Në rastet kur ATP-ja konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit të shpronësuar i kërkohet plotësimi i dosjes përkatëse, brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni. Plotësimet mund të bëhen për të gjitha dosjet e depozituara në ATP për shqyrtim përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji si dhe për kërkesat e paraqitura nga subjektet brenda afatit 90-ditor të përcaktuar në ligj.Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset nga zyra e protokollit të ATP-së me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës e të dokumenteve të tij. 8. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të ATP-së.

Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e ATP-së bëhet shpallja publike në mjediset e ATP-së dhe në njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi.ATP-ja, pasi shqyrton nga ana formale sipas kritereve të përcaktuara në këtë vendim dokumentacionin bashkëlidhur kërkesës, lajmëron subjektin për kryerjen e pagesës kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.Në këtë rast, praktika e depozituar nga ana e subjektit administrohet tashmë në cilësinë e dosjes. Në rast të kundërt, kur kërkesa dhe dokumentacioni bashkëlidhur praktikës pas shqyrtimit nuk janë nga ana formale në përputhje me kriteret e përcaktuara në këtë vendim edhe pas njoftimit të plotësimit të mangësive të saj, ATP-ja do t’i kthejë kërkuesit në adresën e dhënë aktet e praktikës.

Mungesat
Në rastet kur dokumentacioni ligjor i administruar nga subjekti kërkues paraqet mangësi ose kur është i nevojshëm plotësimi i tij, ATP-ja kryen verifikimin dhe konfirmimin e dokumentacionit në institucionet përkatëse që e kanë lëshuar atë. Dokumentacioni hartografik për pozicionin gjeografik të pronës, që i takon periudhës kohore sa më të përafërt me dokumentin ligjor i cili përmban të dhëna pronësie, çdo të dhënë topografike e hartografike, do të administrohet dhe do të përpunohet (pozicionimi) nga inxhinieri gjeodet pranë ATP-së, pjesë e grupit të punës për shqyrtimin administrativ të kërkesës. ATP-ja, në funksion të procesit të njohjes e të kompensimit të pronës, bashkërendon veprimtarinë me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, Avokaturën e Shtetit, Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Arkivin e Shtetit, Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit, organet e pushtetit vendor dhe çdo institucion tjetër, veprimtaria e të cilave lidhet apo ka përgjegjësi për këtë proces.

Çdo institucion shtetëror, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi për procesin e njohjes e të kompensimit të pronës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të sigurojë pa tarifa dhe taksa informacionin apo dokumentacionin e kërkuar nga agjencia, si dhe të raportojë arsyet e mospërmbushjes së një mase apo rekomandimi të kërkuar.Verifikimi në terren për pozicionimin dhe gjendjen faktike të pronës, si dhe përgatitja e aktverifikimit përkatës duhet të kryhet në prezencë të kërkuesit.Akti i verifikimit është sipas formularit tip të miratuar me urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së.Kur në pronën e pretenduar nga subjekti kërkues janë ngritur nga të tretë objekte në zona informale, ATP-ja nuk disponon me kompensim fizik mbi këtë pronë, por me një nga mënyrat e tjera të kompensimit.ATP-ja kërkon nga njësitë administrative vendore informacion nëse mbi pronën e pretenduar nga subjekti ka plan urbanistik të miratuar që i shërben interesit publik.Në këto raste, ATP-ja nuk disponon me kompensim fizik mbi këtë pronë, por me një nga mënyrat e tjera të kompensimit.

Për kërkesat e paraqitura për trajtim para hyrjes në fuqi të ligjit nr.133/2015, dhe të patrajtuara me vendim, ATP-ja fillon menjëherë shqyrtimin e tyre, si më poshtë vijon: a) Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, krijon regjistrin e kërkesave pa vendim, bazuar në rendin kronologjik të aplikimit të tyre pranë strukturave përgjegjëse në kohën e dorëzimit të tyre, bazuar në nivel qarku. b) Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nis procesin e njoftimit të subjekteve të shpronësuara për dokumentacionin që duhet plotësuar, në përputhje me kërkesat e përcaktuara me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të ligjit 133/2015. c) Procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve nga subjektet e shpronësuara gjatë trajtimit të kërkesave u nënshtrohen dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit dhe e dhënies së vendimit për kërkesat e subjekteve të shpronësuara bëhet në përputhje me ligjin nr.133/2015,

“Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. ATP-ja, pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave e të marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kompensimit të pronës sipas rastit, kompensimin fizik brenda kufijve të pronës së njohur, kompensimin nga fondi i tokës apo kompensimin financiar të pasurisë si dhe të të drejtave të tjera reale, sipas përcaktimeve në ligjin nr.133/2015. Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet, si më poshtë vijon: a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; b) Prona e kthyer vlerësohet sipas zërit kadastral aktual të saj dhe sipas zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit, duke llogaritur diferencën e vlerës, që do të rezultojë nga ndryshimi i zërit kadastral; c) Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts