Saturday, April 27, 2024
HomePolitikëMinistrja Xhaçka pret homologun e Kosovës: Mbështetje për rrugën drejt NATO-s

Ministrja Xhaçka pret homologun e Kosovës: Mbështetje për rrugën drejt NATO-s

-

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka priti sot në një vizitë zyrtare, Ministrin e ri të sapozgjedhur të Forcës për Sigurinë e Kosovës, Rrustem Berisha dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

 

 

Xhacka-Rrustemi (3)

Në takimin dypalësh, Ministrja Xhaçka e uroi homologun e saj për detyrën e re dhe shprehu sigurinë se Ministri Berisha do të jetë një avokat i denjë i aspiratave të Kosovës për integrimin euroatlantik.

“Integrimi i Kosovës është një destinacion i natyrshëm, sikundër për të gjitha vendet e Ballkanit. Garantoj gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me qeverinë e Kosovës, eksperiencën tone lidhur me anëtarësimin në NATO”, tha Ministrja Xhaçka gjatë takimit mes dy delegacioneve.

Ministri i Forcës për Sigurinë e Kosovës nënvizoi se për palën kosovare, Shqipëria është aleati më i fuqishëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut dhe jo vetëm.
“Prioriteti aktual i FSK është të përshpejtojë transformimin në Forca të Armatosura. Dhe më lejoni të theksoj edhe këtu në Tiranë se formimi i FA nuk është në kundërshtim me pakicat serbe, por përkundrazi, është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Ministri Berisha.

Xhacka-Rrustemi (1)

Pas nënshkrimit në librin e nderit dhe takimit mes dy delegacioneve, dy homologët Xhaçka dhe Berisha dolën në një deklaratë për shtyp ku kryefjala ishte vijimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes si në rrafshin politik dhe atë teknik.

“Profesionalizmi dhe devotshmëria e FSK-së në përmbushje të detyrimeve që rruga e integrimit në NATO imponon, besojmë se do të shpërblehet shumë shpejt.
E sigurova Ministrin Berisha se bashkëpunimi ynë do të vijojë me ritëm intensiv si përherë. Ka një implementim pothuaj tërësor, sipas referencës kohore, të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2017, ndërkohë që stafet po punojnë për planin e vitit që vjen”, tha ndër të tjera Ministja Xhaçka.

Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni kosovar, i shoqëruar nga zëvendësministri Petro Koçi mori pjesë në një mësim tregues mbi taktikat stërvitore për pjesëmarrjen në misione, në batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr.

DEKLARATA E PLOTË E MINISTRES SË MBROJTJES
Deklarata e plotë e ministres së Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka:
Ndihem e nderuar që kam sot të ftuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, zotin Rrustem Berisha, ministër i Forcës për Sigurinë e Kosovës dhe delegacionin që e shoqëron.

Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për ta uruar zotin Berisha për detyrën e re në krye të Ministrisë së Forcës për Sigurinë e Kosovës. Jam e bindur se zoti ministër, por edhe qeveria e re e Republikës së Kosovës e drejtuar nga zoti Haradinaj do të vijojnë punën e shkëlqyer për integrimin e vendit të tyre në strukturat euro-atlantike.

E sigurova zotin ministër se mbështetja jonë do të vijojë të jetë konkrete dhe maksimale si në rrafshin politik ashtu edhe në atë teknik. E gjithë eksperienca e Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet me profesionalizëm dhe me dashamirësi tek vëllezërit tanë kosovarë.
Aleanca më e madhe ushtarake e botës, një bashkim vlerash dhe përpjekjesh në mbrojtje të jetës, lirisë dhe demokracisë së popujve tanë, e ka prioritet të qartë politikën e “dyerve të hapura” të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Integrimi i plotë i Ballkanit në NATO, do të thotë më shumë siguri, më shumë stabilitet, më shumë demokraci, jo vetëm për vendet tona, por edhe për Aleancën në tërësi. Për më tepër integrimi është një ëndërr e përbashkët e popujve të Ballkanit, të cilët meritojnë të shpërblehen për sakrificat e tyre.
I shpreha zotit ministër, bindjen time se, Republika e Kosovës, me ndihmën e pakursyer të vendeve aleate dhe atyre partnere, në përputhje me legjislacionin e brendshëm të saj, do të realizojë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të saj.

Profesionalizmi dhe devotshmëria e FSK-së, në përmbushje të detyrimeve që rruga e integrimit në NATO imponon, besojmë se do të shpërblehet shumë shpejt.

E sigurova ministrin Berisha se, bashkëpunimi ynë do të vijojë me ritëm intensiv si përherë. Ka një implementim pothuaj tërësor, sipas referencës kohore, të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2017, ndërkohë që stafet tona po punojnë për draftin e planit për vitit 2018.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts