JOQ.al ju liston disa nga argumentet më të përdorura në jetën e përditshme:
1. Ushqimet ishin fantastike. Po, sipas prindërve dhe gjyshërve tanë, ushqimi me të vërtetë që ishte me racion në ato afro pesë dekada stërmundimesh, por cilësia rrallë linte për të dëshiruar. Po flasim për ushqim bio, të kontrolluar, jo si mielli që importojmë sot nga Serbia, si sallami që as sot e kësaj dite nuk e dimë nga na vjen, si perimet gjigante të fryra si gjokset plot silikon apo si lëngjet e frutave që vetëm fruta nuk kanë. “Ah, ta kishim edhe një herë atë bukën e misrit!” – thonë gjyshet. Hë, pranojeni që edhe e juaja kështu flet!
2. Sa pak sëmundje! “Ku dinim ne ç’është kanceri! Tani, me ardhjen e demokracisë e morëm vesh. As nga infarkti nuk vdiste kush”, – është një nga rrëfimet dhe njëkohësisht ankesat e prindërve tanë sot. Gjatë komunizmit jo se nuk ka pasur sëmundje, por ishin shumë të rralla. Të paktën, jo si këto “modernet”, magnet për organizmat tanë prej stilit të jetesës. Njerëzit flinin dhe lëviznin më shumë atëherë, kurse sot ngjajmë si lopët e shtrira. Raporti i vitit 1991 për Evropën zbulonte se Shqipëria ishte vendi me më pak sëmundje zemre. Ç’doni më shumë?
3. Barazia dhe harmonia shoqërore. Në vitet e komunizmit, njerëzit ishin thuajse të gjithë të barabartë. Lufta ndaj klasave ha debat, por duhet theksuar se shqiptarët visheshin njësoj dhe kishin sjellje të përafërta. Duke mos pasur zili nga pasuria e tjetrit, harmonia ishte praktikisht e garantuar. Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë shumë nostalgji për mënyrën se si ishte shoqëria atëherë.
4. Fantazia për kohën e lirë. Ndryshe nga sot, fëmijët nuk kishin celularë inteligjentë, lojëra elektronike, pajisje moderne apo gjëra të larmishme. Lodrat ishin të pakta, por parqet i shihje plot. Bari? Sigurisht që ekzistonte, edhe nëpër qytete! Sot lalierizmi nuk i lejon më… Sa keq! Nejse, duam të themi që gjatë periudhës së komunizmit fëmijët kishin shumë herë më tepër fantazi për të krijuar lojëra dhe për t’u argëtuar. Ata shpiknin, kurse sot ulemi katër apo pesë vetë në kafene me celularë në duar dhe, kur duam të komunikojmë, ia shkruajmë njëri-tjetrit me mesazh, edhe pse shoku aty është!
5. Puna ishte e garantuar. Nëse sot duhet të kesh të paktën dy punë (aspak i siguruar) për çdo të papritur që ndodh apo duhet të paguash 4-5 mijë euro për t’i dhënë kuptim shkollës që ke mbaruar, atëherë nuk ndodhte. Porsa mbaroje shkollën, shteti ta gjente vendin e punës. Ndoshta jo idealin, ndoshta jo aty ku doje, ndoshta të ndante edhe nga familja, por nuk mendoje “ku të mbytem?!”, sepse rregulloheshe. Në qytet, në shumicën e rasteve e kishe edhe shtëpinë, porsa të martoheshe. Sot? Ik e vrit veten! Më prit, Angliiiiiii!
6. Pastërtia, si kurrë më parë. Qytetet shqiptare gjatë komunizmit vërtet nuk kishin gjëra të jashtëzakonshme, por pastërtia dhe gjelbërimi ishin të garantuara. Sot nuk ka shans të gjesh një qytet pa probleme të këtij lloji. Atëherë mund të merrje frymë lirshëm, thithje vërtet oksigjen. Puna vullnetare për ta realizuar këtë ishte gjithashtu diçka që sot nuk ndodh. Duket gjë e vogël, por vitet e fundit shqiptarët e kanë harruar kuptimin e fjalës “pastërti”. Po bëhemi si derra në miliona aspekte, me gjithë respektin për ata që na bënë kokën, se për mirë e kishin atë natë të parë martese.
7. Shkolla ishte shkollë. Tani po, kujdes! Kjo ka shumë rëndësi! Gjatë kohës së diktaturës, kush mbaronte shkollën ishte vërtet i aftë. Për shembull, edhe shoferi dilte jashtëzakonisht i saktë në detyrën e tij. Gjithkush ndihej profesionist, nëse aftësohej për diçka. Tek-tuk ka pasur korrupsion, por kurrsesi si sot. Nuk kishte universitete private të parimit “më shpejt dil se eja”, ku diplomohesh edhe duke qenë në një shtet tjetër. Mjeku ishte mjek dhe të shëronte. Pra, shkolla kishte kuptim, bëhej për një qëllim. Rrjedhimisht, kur bëhej një investim, inxhinieri punonte me përgjegjësi të plotë, duke ditur dhe pasojat e gabimeve. Gjithçka lidhet, ë? Sot zgjidhet.
8. Terrori ishte një mënyrë jetese. Ndoshta fjala e gjetur nuk është e sakta, por historia ka treguar se shqiptarët e duan “drurin”. Jemi një popull që lirinë e ka përjetuar shumë rrallë përgjatë shekujve dhe gjithnjë kemi pasur nevojë për një shtypës. Duke ditur që kanë një Enver mbi kokë, prindërit dhe gjyshërit tanë ksihin presion, frikë, por edhe siguri. E kishin të fiksuar idenë se ishin të mbrojtur dhe se shteti e dinte vetë si punohet dhe menaxhohet. Sot, nuk ndihemi kështu. E dimë se po na vjedhin dhe po na mashtrojnë. E dimë se vetëm teorikisht kemi demokraci, liri dhe të drejta, sepse shumicën e herëve asnjëra nuk na garantohet. Sot e dimë se gjithkush mund të na lëndojë kur të dojë. “Nuk ka shtet”, – themi. Pra, nuk kemi terror.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të tregojë se shqiptarët dikur jetonin më mirë se sot. Këtë gjithsecili e mendon individualisht dhe për familjen e tij. Pikat e mësipërme janë vetëm disa shpjegime të njerëzve të cilët e kanë kaluar atë kohë. Nëse mendoni se keni elemente të tjera për të theksuar, komentoni ose na dërgoni mesazhe! /JOQ.al
“Çohu, Enver!” Kjo është një nga shprehjet tipike shqiptare, sidomos në rrjetet sociale. Sa herë marrim vesh diçka të pazakontë dhe mendojmë se vendi ynë po merr fund, thirrja e përhershme mbetet kjo, të rikthehet Enver Hoxha, një nga diktatorët më të ashpër që ka njohur historia.