Friday, April 19, 2024
HomeSportShqipëria bëhet mur përballë Spanjës

Shqipëria bëhet mur përballë Spanjës

-

Pak dilema dhe një siguri. Shqipëria do të përqendrohet te mbrojtja në Spanjë, për të tentuar më pas të godasë “La Rojan” me kundërsulme të shpejta.

Përballë një prej skuadrave më të mira në botë, trajneri Panuçi pritet ta rreshtojë skuadrën me pesë mbrojtës, për të përballuar kualitetin e jashtëzakonshëm dhe sulmet e iberikëve, që kërkojnë të sigurojnë kualifikimin në Botërorin 2018.

Gjatë javës së përgatitjeve, trajneri Panuçi ka provuar disa variante loje dhe pritet të rreshtojë ekipin me skemën 5-3-2, ku Hysaj do të spostohet si qendër e djathtë, ndërsa në krahun e tij natyral pritet të debutojë Ivan Balliu.

Të rikthyerit Xhaka dhe Kaçe pritet të luajnë nga minuta e parë përkrah Bashës në mesfushë, ndërsa përkrah Sadikut në sulm synohet të shfrytëzohet shpejtësia dhe inkursionet e Eros Grezdës. Nëse në mbrojtje zgjedhja e Panuçit është e ngjashme me atë që përdori De Biasi afro një vit më parë në Shkodër, trajneri kërkon që ekipi të mos mbetet vetëm në gjysmëfushën e tij, por synon edhe ti befasojë rivalët.

Kombëtarja shqiptare zhvilloi stërvitjen e parë dhe e vetme në stadiumin Enriko Perez të Alikantes, impiant në pronësi të Herkules. I gjithë stadiumi pritet të jetë i mbushur me kapacitet të plot, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe 200 deri më 300 tifozë shqiptarë, një pjesë e të cilëve udhëtuan drejt Spanjës së bashku me ekipin.

Përveç skuadrës dhe tre portierëve që kanë punuar me trajnerin Bozhiqi, në fushë zbritën edhe presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka dhe sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, të cilët qëndruan përgjatë gjithë kohës pranë skuadrës.

Pas situatës politike në Spanjë, stadiumi në Alikante pritet të jetë i blinduar me mbi 350 forca sigurie private të pranishme në këtë ndeshje, ndërsa ashtu si gjatë stërvitjeve zyrtare të dy ekipeve, impianti do të jetë i rrethuar nga forcat e rendit, për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes.

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts