Një nga risitë e kabinetit qeveritar “Rama 2” është përfshirja në listën e zv/ministrave të katër emrave që vijnë nga Kosova. Konkretisht Valbona Shijaku është emëruar zv/ministre e Kulturës, Hajrulla Çeku zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit, Ilirjana Bajraktari në postin e zv.ministres së Shëndetësisë si edhe Besa Shahini në postin e zv/ministres së Arsimit.
E para mes tyre që ka reaguar pas emërimit në detyrën e zv/ministres në qeverinë “Rama 2” ka qenë Besa Shahini. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ajo shkruan:
“Kryeministri Rama sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare. Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtejshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, ka shkruar Shahini.