Thursday, March 28, 2024
HomePolitikëBasha: Mbi 50 % e shqiptarëve duan të largohen nga vendi,shkak kostoja...

Basha: Mbi 50 % e shqiptarëve duan të largohen nga vendi,shkak kostoja e jeteses

-

 

 Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas publikimit të sondazhit të Barometrit të Ballkanit. Sipas rezultateve të kësaj ankete, mbi 50 % e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, për shkak se nuk përballojnë dot shpenzimet dhe koston e jetesës.

Sipas kryedemoraktit, shkaktar për këtë situatë është kryeministri Rama.

Në një deklaratë për mediat, Basha tha se nga janari i vitit që vjen, shqiptarëve do t’u duhet të mbijetojnë, pasi pritet rritje e çmimeve të konsumit. Sipas tij, numri i qytetarëve që mezi mbyllin muajin, do të rritet.

Sakaq, ai shton se Partia Demokratike është e vendosur të luftojë kundër kësaj “marrëzie”, dhe rritjes së çmimeve dhe taksave.

DEKLARATA E PLOTE

Dje Barometri i Ballkanit konfirmon se gjysma e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, numër i cili është dyfishuar në katër vitet e fundit. Pra, për numrin e banorëve të cilët duan të largohen nga shtëpitë e tyre jemi të parët në Ballkan, të parët në Europë dhe ndër të parët në botë.

Pse duan shqiptarët të ikin? Pse po bëhet i pajetueshëm ky vend?

Motivi kryesor është gjendja e rënduar ekonomike. Barometri konfirmon se:

39 për qind e bashkëqytetarëve tanë nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritave.

43 për qind, pothuajse gjysma e shqiptarëve, nuk përballojnë dot ngrohjen e shtëpive.

30 për qind nuk paguajnë dot këstet e huasë.

30 për qind nuk përballojnë dot blerjen e ushqimeve bazë.

Por nga janari, jetesa do të jetë edhe më e vështirë, apo të themi më saktë mbijetesa, për shkak të rritjes së pritshme të çmimeve të konsumit, sepse Edi Rama do të fusë biznesin e vogël në skemën e pagesës së TVSH-së. Përfytyroni se sa do rritet numri i të pamundurve, dhe se sa akoma më të pamundur do ta kenë ata që ta mbyllin muajin.

Para kësaj gjendje dramatike, çdokush mund të pyesë, çfarë bën qeveria, çfarë bën kryeministri i një vendi kur sheh këto tregues? Kryeministri nuk do t’ia dijë, sepse nuk ka asnjë raport llogaridhënie me qytetarët, sepse ka ardhur në pushtet me votë të blerë e të dhunuar, pa asnjë program, por me mashtrime të paketuara me propagandë.

Cila është rruga e daljes?

Partia Demokratike do të luftojë fort kundër marrëzisë, çmendurisë të rritjes së TVSH. Ne do të paraqesim propozimet tona për të frenuar këtë çmenduri që do të çojë në rritjen e çmimeve të konsumit dhe rënien e të ardhurave buxhetore. Ne do ta vazhdojmë çdo ditë betejën kundër krimit të bërë njësh me qeverinë, kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar.

Por çdo masë, çdo lëvizje, do të jetë e pamjaftueshme nëse nuk ndërhyhet me themel. Ndërhyrje me themel, do të thotë pikë së pari garantimi i votës së lirë. Vetëm me votën e lirë e të ndershme, një qeveri është e detyruar të japë llogari para njerëzve dhe nuk lejohet ta çojë vendin në greminë.

Sot, Edi Rama i jep llogari vetëm bandave dhe krimit të organizuar, sepse me ata e ruajti pushtetin dhe siguroi votën. Të dyshuarit kryesorë që ka qenë në makinën e blinduar që përplasi policinë në Elbasan, me ndihmën e Policisë së korruptuar të Edi Ramës, janë larguar dhe sot gjenden në një vend anëtar të Bashkimit Europian.

Vota e lirë do ta kishte shpëtuar vendin nga gremina, pas keqqeverisjes 4 vjeçare. Vota e lirë është e vetmja që do ta shpëtojë vendin, sepse i kthen pushtetin qytetarit, vendos rendin dhe ligjin. E çon buxhetin e shtetit për hapje të vendeve të punës dhe për kërkesat reale të njerëzve. Dhe është e vetmja mënyrë për të zhbllokuar integrimin europian.

Ne na duhet të vendosim me votë të lirë që qeveria të japë llogari para qytetarit, që të mos rrisë taksat, ta bëjë vendin më të jetueshëm, dhe shqiptarët të mos mendojnë emigrimin si shpëtimin e tyre të vetëm. Ndryshe treguesit e Barometrit të Ballkanit vitin e ardhshëm, do të jenë akoma më dëshpërues për Shqipërinë.

Ne do të bëjmë gjithçka që qytetarët të rimarrin në dorë të drejtën e tyre themelore, votën e lirë. Por ne kemi nevojë dhe i bëjmë thirrje çdo qytetari të bashkohet me ne në këtë betejë jetike për vendin, për familjet tuaja dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.

*Bashkëngjitur tabelat e barometrit në deklaratën për shtyp të Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
thumbnail_Capture-3
thumbnail_barometer-3
thumbnail_barometer-2
thumbnail_barometer-1

 

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts