Ditën e djeshme është çelur Panairi i Librit në Frankfurt, panairi më i madh tregtar i botuesve që ka bërë bashkë më shume se 7,000 ekspozues dhe mbi 100 vende të botës.
E ndërsa Kosova bëhet pjesë e kësaj ngjarje të madhe të librit përmes botuesve si: Akademia e Shkencave të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Buzuku, Dukagjini, Artini, Koha, Pema, Faik Konica, Libri Shkollorë, Piramida, Dija, Titanik, Mendimi pozitiv, Albas Kosovë, SHB Drita…, Shqipëria nga ana tjetër nuk e ka një prezantim të tillë.
Ministria e Kulturës nuk e ka një listë të përfaqësuesve të Shqipërisë në këtë panair ndonëse me iniciativë personale, pra privatisht, pra mbështetjen e ministrisë, në Panair kanë shkuar disa botues.
Kontaktuar nga newsbomb.al drejtoresha e Krijimtarisë së Fjalës dhe e Përkthimit në Ministrinë e Kulturës, Mimoza Hysa, thotë për newsbomb.al se Ministria e Kulturës së Shqipërisë nuk ka pasur deri më sot asnjë kërkesë nga botuesit shqiptar për t’u mbështetur në panairin e Frankfurtit.
“Shoqata e Botuesve të Kosovës, duke e vlerësuar të rëndësishëm për politikat e tyre, paraqiten të organizuar në një stendë të përbashkët me mbështetje financiare të Ministrisë së tyre të Kulturës. Ministria e Kulturës së Shqipërisë nuk ka pasur deri më sot asnjë kërkesë nga botuesit shqiptar për t’u mbështetur për praninë e tyre në panairin e Frankfurtit”, thotë për newsbomb.al Hysi.
Prej vitesh, botuesit ankohen se nuk kanë mbështetjen e ministrisë së Kulturës në panairet e librit ndërsa ministria nga ana tjetër thotë se nuk ka patur asnjë kërkesë nga botuesit.
Por ndërsa ky “ngërç” ende nuk është zgjidhur, fakti mbetet që në Panairin e Frankfurtit, nuk ka një stendë të librit në gjuhën shqipe dhe kjo është sa ulëritëse aq edhe e trishtë e mjerane.