Saturday, April 27, 2024
HomeKulturëGjenitë nuk kanë datë vdekjeje, kanë vetëm datë lindjeje

Gjenitë nuk kanë datë vdekjeje, kanë vetëm datë lindjeje

-

Një nga ata njerëz që nderohet e respektohet me të madhe është edhe kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli. Si sot, më 13 tetor 1931, ka lindur edhe legjenda që diti më së miri që me anë të artit të fjalës të ngrohtë zemrat e njerëzve që e lexonin.

Ai ka qenë fëmijë kur është dalluar për mënyrën e të shkruarit dhe rrumbullakosjen që i bënte fjalës. Këtë e tregon vetë Dritëroi në rrëfimin e jetës së tij “Të pathënat e Dritëro Agollit, në festën e 1 Majit e nxorën nga rreshti se ishte veshur pallto grash e këpucë të vjetra”, ku mes rreshtave përmend edhe mësuesen e parë që i dha krahët për të fluturuar në botën e mrekullueshme të fjalës.

Ajo ishte mësuese Virgjina në Liceun francez të Korçës, ku Dritëroi ka marrë mësimet e para, dhe ka qenë po kjo mësuese njeriu më i besuar prej nga ai merrte këshilla për atë çfarë kishte shkruar. Ai u bë i madh, vjershat e tij u botuan dhe tashmë gjithçka do të ndryshonte për djalin e vogël nga Devolli, që kishte lindur me një talent të madh.

Dritëroi ka qenë gjithmonë i kujdesshëm në ato që ka shprehur dhe ngaherë tregon dhembshurinë, dëshirën dhe dashurinë që ka për natyrën, për njeriun, për jetën, për njeriun e tij të jetës, po edhe për pasardhësit e tij. Shkrimet që i janë dedikuar gruas së jetës janë të shumta.

Sadija ka qenë gruaja që ka zgjuar jo vetëm dashurinë, po edhe frymëzimin e thellë të njeriut të fjalës. Të jetosh me një shkrimtar, jeta është ndoshta si një poezi dashurie. Një shkrimtar të rrëfen çdo ndjenjë. Të mallëngjen. Të flet me vargun. E ti duhet të dish si ta lexosh.

Sadija dinte!

Shkronjat kanë sekretet e tyre, ndaj ajo nuk kishte ngut, i shkëputej ashtu pa zhurmë ndonjë presjeje dhe ndizte një cigare.

Të jetosh me një shkrimtar, të humb dhe irisi syrit ndonjëherë, e nuk arrin të shohësh gjë. Një shkrimtar është magjistar. Vetëm ai e di sekretin si i nxjerr nga çanta kur kthehet prapë, ca fiq dhe sytë tok me ta.

E ti qesh… sepse një shkrimtar të zbret hënën në buzë.

Dritëro Agolli Sadijes së tij i zbriste dhe ca yje mbështjellë me vello resh. Janë të pafundme poezitë për të. Poezi që dhe ne kur i lexojmë, mësojmë se paskemi dy flatra në shpinë dhe pastaj humbim blusë së qiellit.

”Unë jam i burgosuri yt,

Rroj me prangat që ti më ke vënë

Po çudi, as qelia s’më mbyt,

Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

Unë i putha duart e tua.

Është rast i pashembullt ta dish,

Që xhelatin ta puth a ta dua!

I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!

Ky burgim sa do zgjasë s’e di;

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë…”

Kështu shkruhet në artikullin “Dritëro Agolli: Një letër për Sadijen time…”. Por jeta përkrah Dritëroit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. “Çdo libër ka një histori që lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin “Zhurma e erërave të dikurshme”.

Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ’60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën “Ylli”, ku kryeredaktor ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë, modern dhe njeri me shije të hollë artistike. Libri u botua më 1964, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë me ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë Safo Markua ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin.”

Por libri u censurua. E përveçse u censurua, vëllimi me tregime i Dritëro Agollit do të kritikohej rëndë, madje do të bëhej subjekt kritikash ndër shkollat e mesme.

Për të “luftuar” gabimet ideologjike që ky libër përmbante, edhe Sadijes, bashkëshortes së Dritëroit, atëherë mësuese letërsie, iu kërkua që të kritikonte librin e të shoqit. Në një rrëfim të tijin për këtë ngjarje “Rrëfimi i Dritëroit: Kur Sadijes i kërkuan të më kritikonte librin” ai tregon me detaje se çfarë ka ndodhur dhe se si ka arritur Sadija që të shpëtojë nga mekanizmi i kohës.

Ndërsa ju mendoni se keni parë gjithçka prej tij, e keni shumë gabim. Rrëfimi që ai ka bërë për bektashizmin dhe lidhjen e ngushtë që ai ka pasur për këtë fe është i pamundur që të anashkalohet.

“Dritëro Agolli në kujtimet e tij për bektashizmin” do të gjeni që nga karakteri i tij që fëmijë e deri tek mendësia që ishte krijuar në kohërat e trazuara të komunizmit. Dhe sigurisht veprat e tij, që janë aq shumë të lexuara, janë gati të panumërta, por nëse lexoni  “Shuhet shkrimtari i madh Dritëro Agolli”, do rikujtoni disa nga shkrimet dhe poezitë e tij më të mira.

Dhe nëse dëshironi ta shikoni ashtu siç askush nuk e ka parë, Konica.al ju sjell më të mirën prej tij…

Related articles

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts