Sunday, December 4, 2022
HomeAktualitetPas tërmetit dhe pandemisë, shqiptarët stresohen edhe nga lufta. Kostot dhe pasiguritë...

Pas tërmetit dhe pandemisë, shqiptarët stresohen edhe nga lufta. Kostot dhe pasiguritë financiare

-

Kostot psiko-sociale të luftës dhe pasigurive financiare. Siç ndodhi me Covid-in, nevoja për të qenë të informuar me pushtimin rus po ndikon në shëndetin tonë mendor, sipas ekspertëve të fushës psiko-sociale. Qershia mbi tortë janë rritja e vazhdueshme e çmimeve në vend. Grupmosha më e ndjeshme janë fëmijët…

Kur Rusia nisi sulmin mbi Ukrainën më 24 shkurt 2022, bota mbajti frymën. Presidenti rus, Vladimir Putin, iu referua gatishmërisë bërthamore të vendit të tij dhe të gjithë shtetet u përballën me frikën dhe mundësinë e një konflikti më të dhunshëm. Ndërsa konflikti midis dy vendeve vazhdon, ne na mbetet të përballemi me emocionet shqetësuese të pasigurisë.

“Plagët e padukshme” të luftës janë studiuar gjerësisht ndër vite, sa i përket reagimit të shëndetit mendor ndaj situatave të konflikteve dhe luftërave. Të qenët jo pjesë fizike e luftës, nuk e përjashton vendin tonë nga rritja e stresit dhe pasigurisë nga konflikti, si dhe nga ndryshimet e kostove të jetesës, me rritjen e beftë të çmimeve javët e fundit.

Nëse situata në Ukrainë po ju shkakton frikë dhe ankth, ato ndjenja janë normale. Kështu shprehet mjekja psikiatër Arjana Rreli. Ajo këshillon se për çdo shqetësim që mund të përjetojmë, kufizoni sasinë e lajmeve që shikoni për të mbrojtur shëndetin tuaj mendor.

 

 

Të qenët të shqetësuar është normale kur mendojmë për çdo lloj krize. Pas dy vitesh kthimi nga një variant i COVID-19 në tjetrin, situata në Ukrainë ka shtuar stresin e pasigurinë, sikurse edhe mendimet shqetësuese lidhur me rritjen e çmimeve në vend, shton më tej ajo.

“Ndjenjat që njerëzit mund të përjetojnë janë zemërimi, mungesa e shpresës, pafuqia dhe mpirja, për shkak të mbingarkesës”, thotë znj. Rreli.

Pushtimi rus i Ukrainës dhe shqetësimet për luftën është një çështje shumë e ndjeshme për t’u trajtuar. Por, sipas mjekes, nëse e kuptoni se rrjedha e informacionit në lidhje me konfliktin po ju ndikon mendërisht, mund të ndërmerrni disa masa për të mbrojtur shëndetin mendor dhe për të ruajtur një ndjenjë paqeje.

Efekti i rrjeteve sociale

Fotot dhe videot shqetësuese kanë mbushur ekranet e njerëzve që kërkojnë përditësime anembanë botës: dëmtime në ndërtesa, njerëz të plagosur, pas bombardimeve në qytete si Kievi dhe Kharkiv, njerëz të grumbulluar në strehimore dhe qytetarët ukrainas duke i dhënë lamtumirën njerëzve të dashur.

Ky është një informacion i rëndë për t’u përpunuar, sidomos për mendjet e adoleshentëve që janë përdorues të mëdhenj të rrjeteve si TikTok, ku filtrat thuajse nuk ekzistojnë.

Kjo rrjedhë informacioni është e fuqishme: i detyron njerëzit t’i kushtojnë vëmendje dhe u jep atyre një dritare reale se çfarë po përjetohet në Ukrainë. Por gjurmimi i zhvillimeve të përditësuara mund të ketë kosto.

Ekspertë të fushës sugjerojnë se mbulimi i lajmeve të ngjarjeve traumatike mund të ndikojë në shëndetin mendor të shikuesve dhe me pamjet dhe fotot nga Ukraina që vërshojnë në mediat sociale dhe keqinformimet që përhapen në mënyrë të shfrenuar, ka implikime për shëndetin publik.

Mjekja Arjana Rreli thotë se sasia e lajmeve që informohet dikush dhe përmbajtja me të cilën përballen, ka efekte në shëndetin mendor.

“Sipas një studimi të rastit të sulmit të 11 shtatorit në SHBA, krahasuar me njerëzit që shikonin më pak, ata që panë të paktën katër orë mbulim televiziv në ditë gjatë javës, pas sulmeve raportuan rritje të stresit dhe simptomave të çrregullimit të stresit post-traumatik dhe ishin në rrezik më të madh për zhvillimin e shëndetit, gjë që i dha probleme vite me vonë”-pohoi mjekja.

Është e vështirë të përcaktosh sipas saj, se si media sociale kundrejt mbulimit tradicional të lajmeve ndikon në shëndetin mendor, pasi pak njerëz e shohin ekskluzivisht njërën ose tjetrën.

“Por ka disa dallime thelbësore. Në mediat tradicionale, redaktorët vendosin se cila përmbajtje është shumë e rëndë për t’u shfaqur dhe shpesh etiketojnë imazhet shqetësuese me paralajmërime.

Por njerëzit mund të bëjnë fotografi dhe video dhe ta shpërndajnë menjëherë në mediat sociale pa paralajmërim, potencialisht pa menduar për këtë”, thotë dr. Rreli. Rrjetet sociale janë gjithashtu terrene beteje për përhapjen e keqinformimeve, shton në fund ajo.

Ekspertët e fushës psikologjike pohojnë se kategoria më e ndjeshme në këtë kontekst janë fëmijët. Arjola Manreka, psikologe arsimi, e pyetur mbi ndikimin e lajmeve të vazhdueshme mbi luftën, por edhe vështirësitë ekonomike te fëmijët, thotë se në shumë familje, ata kanë qenë kureshtarë të dinin se çfarë po ndodh, por duhet të tregohemi të kujdesshëm mbi informacionin që u japim atyre.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sapo dëgjojmë termin luftë, i referohemi një koncepti që ngjall ndjesi frike, trishtim, ankth dhe pasiguri për jetët e individëve. Dhe sigurisht në familje, fëmijët dëgjojnë dhe kanë kuriozitet për atë se çfarë transmetojnë lajmet në lidhje me luftën.

Pyetjet që ngrenë më shpesh fëmijët te prindërit, por edhe te mësuesit janë se cilat vende janë të përfshira në këtë konflikt, sa vende janë të anëtarësuar në NATO, pse Rusia po bën bombardime, etj. Grupmosha e fëmijëve nga 3-7 vjeç e konsideron ende termin luftë si ‘lojë’, dhe nuk ka shumë emocione negative tek to.

Ndërsa fëmijët e një grupmoshe pak më të rritur 8-13 vjeç kanë një konkretizim të konceptit të luftës dhe janë kureshtarë të pyesin edhe më shumë mbi konfliktin, arsyet pse ndodh dhe pse lëndohen fëmijët, etj.” – thotë psikologia.

Sipas saj, e gjithë situata e tre viteve të fundit po e fut shoqërinë në një kolaps stresi dhe ankthi.

“Tërmeti i nëntorit 2019, pandemia e Covid-19, lufta apo edhe probleme social-ekonomike si rritja e çmimeve dhe prania e stresit e shtuar tek prindërit, po jep efekte negative edhe te fëmijët.

Niveli i agresivitetit tek ta është rritur, janë më pak solidarë mes njëri-tjetrit, bëjnë më pak aktivitete dhe përfshirje në punë komunitare” – thotë znj. Manreka nga vëzhgimet në institucione arsimore në Tiranë.

Sa i përket qasjes që duhet të kenë prindërit dhe specialistët e fushës për të trajtuar dhe për të shpjeguar dy tema të tilla të ndjeshme, znj. Manreka thotë se, në lidhje me konceptin e luftës, prindërit duhet të japin aq informacion sa fëmija ka nevojë të dijë, jo duke i treguar detaje që mund ta frikësojnë apo të shfaqë emocione trishtimi dhe mërzitje.

“Duhet t’i japin më shumë fuqi kontekstit se, konfliktet (çfarëdolloj konflikti) zgjidhen vetëm nëpërmjet fjalës dhe diplomacisë, jo dhunës dhe shkatërrimit, siç është lufta. Ndaj këshilla ime kryesore është që si prindërit, edhe mësuesit, të nxisin frymën e tolerancës dhe të mirëkuptimit dhe të mundohen të shmangin sadopak qëndrimin në celular të fëmijëve, duke e zëvendësuar me kohë cilësore dhe produktive.

Ne si psikologë mundohemi që paralelisht me përmirësimin e gjendjes emocionale të fëmijës, të bëjmë edhe një psiko-edukim për prindërit e tyre.

Prindërit duhet të kenë parasysh se sado e vështirë mund të paraqitet situata ekonomike, rritja e çmimeve apo edhe pasiguria e jetesës që mund të bënin më parë, fëmijës në këtë situatë nuk duhet t’i përcjellësh ankthin dhe frikërat që ne si të rritur ndiejmë.

Mundohuni që t’i tregoni aq sa ai ka nevojë të dijë dhe angazhojeni në aktivitete praktike pa kosto (shëtitje, shihni një film së bashku, gatuani një ditë në javë së bashku, ditë specifike për të kaluar kohë cilësore me babain apo edhe me nënën)”- përfundon ajo.

Ndërsa sipas Marsida Simo, sociologe, media, qoftë sociale apo tradicionale, na e ndërton realitetin duke na mbushur me mesazhe e lajme të cilat e rëndojnë objektivitetin e shumicës.

“Edhe pse nuk ka pasur asnjë luftë botërore që nga Lufta e Dytë Botërore, ka pasur luftëra dhe konflikte gjatë 60 viteve të fundit. Lufta, terrorizmi, dhuna, krijon frikë dhe pasiguri te të rriturit e sigurisht edhe më shumë te fëmijët. Fëmijët në vendin tonë nuk janë hasur shpesh me termat e luftës dhe kohët e fundit, ata po e marrin këtë informacion kryesisht nga media.

Duhet theksuar se pasojat e luftës nuk janë vetëm vdekjet, por edhe varfëria, kequshqyerja, rënia ekonomike/sociale dhe sëmundjet psiko-sociale. Këto elemente që u renditën mund të ndodhin në mënyrë indirekte edhe në vendin tonë.

Media është ajo që na e ndërton realitetin, duke na mbushur me mesazhe e lajme të cilat e rëndojnë objektivitetin e shumicës. Sidomos fëmijët mund ta përjetojnë edhe më shumë, sepse ata perceptojnë kryesisht emocionet e prindërve dhe krijojnë në mendjen e tyre skenarë të frikshëm, duke u ndier të pasigurt.

Shpeshherë fëmijët janë në të njëjtin ambient ku dëgjohen dhe shihen lajme, apo dhe i dëgjojnë apo diskutojnë në shkollë. Si pasojë, fëmijët mund të ndihen të pasigurt, të frikësuar, duke humbur interesin në rutinën e përditshme.

Sidomos nëse prindi vëren dhe ndryshime në sjellje te fëmija kohët e fundit (ndalon të ushqyerin ose ushqehet më tepër, nuk bën një gjumë të qetë, përpiqet të gjejë justifikime për mos të bërë një aktivitet apo të mos ikë në shkollë etj.) duhet të ndalet për të kuptuar më shumë.”

Në fund sociologia thotë se, pavarësisht se nuk rrezikohemi apo jemi larg vendit të luftës, prindërit duhet të jenë kryesorët për të qenë të parët në informimin siç duhet për terma që lidhen me luftën.

Edhe pse këto biseda mund të jenë të vështira për t’u bërë, ajo këshillon se është e rëndësishme t’u jepni fëmijëve informacione të përshtatshme sipas moshës. Këto tema mund të diskutohen edhe te fëmijët e moshës 4-5 vjeç, në formë loje apo tregimi pa dhënë shumë detaje e pa përdorur gjuhë urrejtje.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,595FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts