Qarkullimi i masave ajrore nga jugu i Europës do të sjellë mot të kthjellët dhe të ngrohtë në vendin tonë por vranësirat do të jenë të pranishme përgjatë gjithë 24 –orëshit, më të dendura në zonat malore veriore dhe veriperëndimore duke krijuar mundësi për shira të dobët.
Sipas MeteoAlb, parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes të shtojnë vranësirat në të gjithë territorin. Po ashtu, lagështira në ajër do të jetë e lartë duke bërë që të ngrohtin ta ndjejmë edhe më shumë.
Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 3°C deri në 23°C.
Era do fryjë mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale 55 km/h nga drejtimi Jugor dhe Jugperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzimi i lartë mbi 4 ballë.
Rajoni dhe Europa
Pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të mbizotërohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike ku kthjellimet do të jenë prezente. Konkretisht me diell dhe temperatura relativisht të larta paraqiten; gadishulli Iberik si edhe Europa Juglindore ku termometri në disa rajone do të ngjitet deri në 24°C.
Po ashtu me kthjellime por ftohtë dominohen vendet skandinave. Ndërsa si pasojë e zhvillimit të një qendre të fuqishme ciklonare në Lindje të Europës, vendet Lindore karakterizohen nga reshje të dendura dëbore dhe ngrica.