Thursday, August 11, 2022
HomeAktualitetDW: Kriza qeveritare në Itali dhuratë për Putinin, rrezikon Bashkimin Europian

DW: Kriza qeveritare në Itali dhuratë për Putinin, rrezikon Bashkimin Europian

-

Në rrezik është më shumë se sa vetëm stabiliteti i Italisë. Lamtumira prej „super Marios“ do t’i vinte për mbarë vetëm Putinit. Ndërsa do të rrezikonte BE-në, euron dhe politikën ndaj Ukrainës, mendon Barbara Wesel.

Italia sërish po përballet me një krizë qeveritare. Këtë mund ta konsideroje edhe si një teatër veror, por kësaj here rrezikohet shumë më tepër. Kur kryetari i partisë së drobitur „Pesë Yjet” e shtyn faktikisht drejt dorëheqjes kryeministrin Mario Draghi kemi të bëjmë me më shumë se sa vetëm stabilitetin e vendit.

Një krizë serioze në Itali rrezikon Bashkimin Europian, që ndërkohë ndodhet nën presion prej luftës në Ukrainë, mungesave me energjinë dhe inflacionit. Europa nuk mund ta përballojë paqëndrueshmërinë në Romë me pasojat që dihen ndaj euros dhe fundit të një politike të përbashkët ndaj Ukrainës.

Shpëtim në minutën e fundit?

Operat italiane mund t’i duam me të gjithë patosin dhe dramën e tyre, por ato nuk na duhen. E njëjta gjë vlen edhe për pasojat e pafundme të krizave qeveritare të Italisë – që në mënyrë preferenciale ndodhin gjatë pushimeve të verës. Se ç’fund do të ketë teatri aktual politik në Romë, kjo nuk dihet.

Ka megjithatë një shans për shpëtimin në minutën e fundit. Por në parim kryeministri Mario Draghi do ta vazhdojë qeverinë e tij të unitetit kombëtar vetëm, nëse në bord qëndrojnë të gjithë partnerët e koalicionit. E pikërisht për këtë arsye do të jetë e rrezikshme për të gjithë ne.

Ish-shefi i Bankës Qendrore Europiane, i quajtur edhe “super Mario”, konsiderohet në Europë si shpëtimtar i stabilitetit italian, ai e drejtoi vendin gjatë krizës së Coronës dhe paraqiti një plan reformash për ekonominë italiane, që do t’i sjellë arkës së shtetit mbi 100 miliardë euro nga fondi i BE-së për rindërtimin. Në Bruksel ishin varur shpresat, që Draghi do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e radhës pranverën e ardhëshme, kur BE-ja ta ketë përballuar më të keqen.

Por Europa i ka bërë këto llogari pa marrë parasysh Guiseppe Conten. Shkaktarin e krizës, ish-kryeministër dhe kryetari i partisë „Pesë Yjet”, e cila ndërkohë është tkurrur me 11 përqind në gati një të tretën e forcës që ka pasur dikur. Kreu i partisë, Conte shpreson që me kërkesat populiste ndaj Draghit për një program dukshëm më të fortë kundër inflacionit të fitojë ndonjë përqindje më shumë tek zgjedhësit. Ndërkohë që shumica e italianëve janë distancuar prej populizmit të partisë. Edhe një pjesë e deputetëve të „Pesë Yjeve” së fundi janë distancuar të zhgënjyer – por pjesa e mbetur mjafton për të rrezikuar qeverinë e unitetit kombëtar.

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,434FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts