Friday, April 19, 2024
HomeKulturë“Zotni Nardi u bë 90 vjeç”/ Luan Rama mesazh urimi për personalitetin...

“Zotni Nardi u bë 90 vjeç”/ Luan Rama mesazh urimi për personalitetin e Shkodrës

-

 

Ferdinand Bushati, një nga personalitetet e Shkodrës që ka drejtuar Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, ka festuar dje 90 vjetorin e lindjes.

Për ditëlindjen e tij, ka bërë një urim të veçantë Luan Rama, ish-nënkryetari i LSI-së, i cili tregon kontributin që Bushati ka dhënë ndër vite.

Ai thotë se disa brezave të rinjsh e të rejash të Shkodrës gjetën tek Ferdinandi kujdestarin e vëmendshëm, edukatorin e palodhur dhe drejtuesin pasionant e përherë bujar.

Statusi i plote

Në 90 vjetorin e lindjes:

Privilegji i madh i zotni Nardit…

Nard Bushati, ose siç e kanë thirrë e si e thërrasin edhe sot e gjithë ditën në Shkodër, zotni Nardi, dje u bë 90 vjeç.

90 vjeç me shëndet të mirë, me zemër të fortë dhe çfarë është më e rëndësishmja, me mendjen të kthjellët, me një memorie për t’u patur zili dhe shpirtin plot mirësi.

U desh vetëm një fjalë nga Astrit Fani, përherë i vëmendshëm dhe i përkushtuar deri në detaje, dhe u mblodhëm prapë në Shkodër.

U mblodhëm si dikur aty në Gjuhadol, në rrugicën që më parë thirrej “rrugica e Klubit të Rinisë” prej se aty gjendej ky institucion ku zotni Nardi qe drejtor. Ndoshta drejtori më jetëgjatë i ndonjë institucioni në Shqipëri në të dy kohët e saj; në komunizëm dhe në çfarë erdhi më pas; prej vitit 1967 e tëhu, deri në vitin 1991 kur Klubi i Rinisë që mbante emrin “Heronjtë e Vigut” u mbyll bashkë me epoken që e çeli si të tillë, për t’iu rikthyer identitetit të parë e për t’u bërë sërish siç kishte qenë para vitit 1967, Kisha e Murgeshave.

Nuk ma do mendja të ketë patur ndonjë njeri tjetër që të ketë qëndruar kaq gjatë, plot 24 vjet drejtor në të njejtën zyrë e në të njejtin institucion. Dhe për një koinçidencë të veçantë madje, ky institucion gjendej vetëm dhjetë hapa larg prej shtëpisë së zotni Nardit.

Padyshim, gjithë kjo kohë drejtor e ka një sekret; punën plot pasion e përkushtim të tij padyshim, por, edhe emrin e mirë që brezat ia përcillnin njëri-tjetrit për drejtorin që e donin të gjithë, por dhe që i donte të gjithë. Askush tjetër pas zotni Nardit dhe të ndjerit Hilmi Tukaj që ishte regjisor dhe Fatbardh Lukës që ishte shef muzike dhe me një mirësi prej fisniku gjithashtu, nuk do të mund ta bënte dot më mirë atë punë që bënin ata. Ndaj edhe askush nuk guxonte të mendonte që t’i lëvizte prej aty.

Gjithë sa thashë më lart janë fakte padyshim krejt unike, të veçanta dhe që lidhen me zotni Nardin. Por, ato nuk janë privilegji i tij.

Fakti që zotni Nardi qe drejtor i Klubit të Rinisë qe privilegji i Shkodrës. Qe edhe privilegji i disa brezave të rinjsh e të rejash të Shkodrës që gjetën dhe kishin tek zotni Nardi kujdestarin e vëmendshëm, edukatorin e palodhur, drejtuesin pasionant e përherë bujar, që i priti dhe iu çeli udhët e artit duke patur si bekim të parë pikërisht mirësinë dhe dashurinë e tij.

Sepse në atë klub, në Klubin e Rinisë nisën udhën e bukur të artit pothuaj të gjithë artistët e Shkodrës e shumë të tjerë që fati i çoi të jetojnë në Shkodër.

Kë t’ju them më parë ndër dhjetëra e qindra emra të mëdhej të kulturës dhe artit në Shkodër?

Serafin Fanko, Rikard Ljarja, Roza Anagnosti, Tonin Tërshana, Ymer Bala, Bashkim Alibali, Jetmir Barbullushi, Luan Borova, Zef Çoba, Zef Deda, Osman Mula, Nimet Salabegu, Eduard Jubani, Justina Aliaj, Myfarete Laze, Frederik Ndoci dhe motrat e tij Rita e Juli, Tonin Ternaku, Shpëtim Saraçi e Markeljan Kapedani, Ema Ndoja…

Por edhe shkrimtarë dhe poetë të shumtë aty në atë klub gjetën “shtëpinë” e tyre të ngrohtë e zotni Nardi edhe sot i përmend me shumë respekt Frederik Rreshpjen, Hamit Aliajn, Visar Zhitin, Petrit Rukën, Ilirian Zhupën, Alfred Çapalikun dhe të vëllanë e tij, Stafanin, Xhahid Bushatin…

Janë shumë, janë dhjetëra e qindra e qindra veprimtarë; artistë, kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, poetë, aktorë, piktorë.

Ndjesë sepse e kam të pamundur t’ua përmend emrat të gjithëve, por në Klubin e Rinisë dhe në emrin e zotni Nardit ata janë të gjithë.

Prandaj e thashë se qenia e tij drejtor i Klubit të Rinisë qe privilegj për Shkodrën, qe privilegj për artin, kulturën dhe rininë saj.

Ndërsa privilegji i madh i zotni Nardit qe dhe është fakti se atij të gjithë i drejtoheshin dhe i drejtohen edhe sot me fjalën zotni. Po, po, zotni Nardi gjithmonë, edhe përgjatë kohës komuniste kur fjala zotni qe një herezi e madje edhe mund të sillte pasoja.

Gjithkush e gjithkund kur duhej t’i drejtohej Nard Bushatit nuk përdorte kurrë fjalën shok, pra nuk thoshte shoku Nardi apo shoku Ferdinand siç e ka emrin e plotë, sepse po të thoje këtë togfjalësh, në fakt kishe thënë asgjë. Sepse ashtu nuk identifikohej askush.

Nard Bushatit të gjithë i drejtoheshin vetëm zotni Nardi, sepse ai ishte dhe identifikohej vetëm si zotni Nardi. Edhe komunistët kështu i drejtoheshin, madje edhe sekretarët e partisë, edhe ateistët, edhe drejtorët e tjerë, edhe ata që vinin nga Tirana, edhe të gjithë qytetarët vetëm zotni Nardi.

Kam qëlluar të jem një herë në një takim në Komitetin e PPSH-së të Shkodrës, ku bashkë me zotni Nardin na kishin thirrur për të diskutuar platformën e veprimtarisë “Të rinjtë që mbeten të rinj”, të cilën Klubi i Rinisë do ta organizonte në nderim të të gjithë artist?ve që kishin kaluar nëpër dyert e tij, teksa rastisëm të ndeshnim në korridor ndërsa po kalonte aty pari Muho Asllanin, në atë kohë Sekretar i Parë në Shkodër por edhe anëtar i Byrosë Politike.

Edhe ai, më i madhi i komunistëve në Shkodër sapo e pa, menjeherë e me shumë përzemërsi iu drejtua:

“ – Po si t’kena mor zotni Nardi, a ke ken mirë mor zotni Nardi?”

Nd?rsa, zotni Nardi nga ana e tij iu përgjigj:

“- Mirë shoku Muho, ju si jeni?”, për të vazhduar mandej dialogun standard në kësi rastesh.

Ky pra është zotni Nardi, njeriu që gëzonte privilegjin e madh që në kohën e shokëve dhe shoqeve të ishte i vetmi që të gjithë i drejtoheshin me “ZOTNI”.

Zotni Nardi ka qenë, është dhe do të jetë përherë një personazh emblematik në Shkodër, krejt i veçantë për nga mirësia e komunikimit dhe e sjelljes, për nga përkushtimi dhe këmbëngulja pasionante për t’i shërbyer qytetit të vet dhe artit e kulturës së saj, model dhe referencë e një standardi të epërm të qytetarisë shkodrane.

Unë kam qenë me fat që e kam njohur dhe që punova me të përgjatë viteve kur isha student në Shkodër. Por, besoj kështu si unë janë ndjerë e ndjehen të gjithë ata që e kanë njohur dhe që kanë punuar me zotni Nardin.

90 vjetori i lindjes së tij qe një rast i bukur të mblidheshim për ta uruar dhe për t’i thënë:

Faleminderit zotni Nardi!

Qofsh jetëgjatë dhe me shëndet të mirë e shërbefsh gjithmonë si një motiv për të na mbledhur sërish në Shkodër, në atë rrugicën tonë të dashur të Gjuhadolit,  përreth mirësisë dhe bujarisë tënde e të të themi: mirë se të gjetëm zotni Nardi!

Related articles

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow
3,912FollowersFollow
3,572SubscribersSubscribe
spot_img

Latest posts